Kjo vogëlushe është veçse 8 vjeçe. Jeton në fshatin Vërtop të Poliçanit.

Dëshira e saj më e madhe, është që të mos verbohet. Kohë më parë kuptoi se drita e syve po zbehej, ndërsa pas vizitës, mjeku i shpjegoi familjes se Manushaqja duhet të operohet sa më shpejt të jetë e mundur.

Nëna e 8 vjeçares qan. I kanë mbetur vetëm lotët, pasi mundësi nuk ka për ta operuar të bijën. Është e gatshme të shesë shtëpinë, qoftë edhe gjakun e organet e saj e trupit.

“Vajzën e kemi lënë pas dore, se mundësitë nuk i kemi. Frika ime është se vajza do mbetet e verbër, pasi doktori më ka thënë se duhet kryer operacioni sa më parë. Nuk mundem… por do të detyrohem t’i shes të gjitha, gjakun tim, veshkën, ç’të jetë e mundur. S’mund ta lë vajzën që të më rrijë e të kërkojë rrugën me dorë. Nëse ajo operohet me sukses, do të jetë si një jetë e re për mua, se tjetër gjë nuk dua.”-tregoi nëna e 8 vjeçares.

“Varfëri shumë, se me 40 mijë lekë përkrahje, nuk kemi çfarë të bëjmë më parë. Nuk më dalin paratë, as për drita e ujë, e as për ushqime”-tregoi babai i vogëlushes.

“I tregoja diçka, e ajo nuk e shikonte. I tregoja kukullat, ajo nuk i shikonte. Unë motrën e dua shumë. Ju lutem na ndihmoni”-thotë motra e vogël e Manushaqes.

Fondacioni Firdeus i doli në krah kësaj familje të sprovuar, duke i dhënë lajmin e gëzueshëm se Manushaqja do të mund të kryejë analizat dhe ndërhyrjen e nevojshme për rikthimin e shikimit. Dhe ashtu ndodhi. 8 vjeçarja iu nënshtrua ndërhyrjes e fatmirësisht, e fatmirësisht ëndrra e nënës së Manushaqes u bë realitet, operacioni shkoi me sukses.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re