Ish kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, përmes një interviste të dhënë në studion e lajmeve të televizionit FaxNews, analizoi vendimin e shpalljes “non grata” të ish-kryeministrit Berisha nga ShBA-të.
Klosi theksoi se goditja ndaj Berishës, si politikani më i fuqishëm i 30 viteve të fundit është një mesazh se askush nuk është më i pandëshkueshëm dhe se drejtësia e re do të funksionojë.
Teksa theksoi se tashmë i duhet drejtësisë shqiptare të veprojë që ky vendim të mos mbetet vetëm një vendim politik, Klosi u shpreh se mesazhi është edhe për ata të rinj që synojnë politikën.
Ish kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror theksoi se mesazhi për të rinjtë është që mos ta shohin politikën si një mjet përfitimi të llojit “Do punoj aty se ka lekë aty”.
“Tani i takon drejtësisë shqiptare që të vazhdojë. Siç bënë me Llallën duhet të bëjnë dhe me Berishën. I takon drejtësisë shqitare të vijojë për të mos mbetur vetëm një akuzë politike. Mesazhi është që askush nuk mbetet i pandëshkueshëm. Ky ka qenë politikani më i rëndësishëm këto 30-vite. Në fund të fundit 45 vjet ndodhi komunizmi, për mirë apo për keq ai bëri përmbysje. Drejtësia duhet të fillojë të japë prova që është e pavarur nga politika dhe të japë drejtësi pavarësisht se kush është krimineli.
Një pjesë e atryre që kanë qenë të rëndësishëm në vendimarrje mund të japin llogari për ato që kanë bërë. Ky është dhe një mesazh për të rinjtë, që të mos hyjnë në politikë për të përfituar.
Ata që futen nëpër zyra të ndryshme dhe pastaj bëjnë karrierë, kur pyeten ku duan të shkojnë, thonë: Aty se aty, ka lekë! Shumica e të rinjëve futen me këtë qëllim që të përfitojnë dhe nuk ngrejnë pyetjen nëse më shkon ose jo mua politika.
Ky është një mesazh për të gjithë ata të rinj që synojnë të merren me politikë.
Fryma e pandëshkueshmërisë u nis nga Berisha dhe ka ecur për 30 vjet. Ai del e thotë sot që askush nuk më ka akuzuar mua. Ka krijuar një besim në mendjen e tij se ai është i shkathët, i zoti dhe askush s’mund t’i afrohet. U habita kur dëgjova që ka marrë një avokat francez dhe ka paditur Sekretarin e Shtetit, sikur të jetë një biznesmen që i ka bërë një dëm dhe jo sikur është një ndër njerëzit më të fuqishëm të globit“, tha Klosi.(F.M/Faxweb.al)
loading…
/faxweb
