Pavarësisht lutjeve, shpresave, dhe ditëve të vështira në vdêkje klinike, nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit Ervin Saraçi ka ndërruar jetë. Lajmi bëhet i ditur nga miqtë dhe të afërm të Saraçit, i cili pësoi disa ditë më parë hemoragji cerebrale, dhe u dërgua menjëherë në spital, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk u mbajt dot në jetë.

Mes personave që kanë reaguar është edhe Arbër Hajdari i cili shkruan:

Sot ndërroj jetë në moshën 37 vjeçare miku im Ervin Saraçi. Do të kujtoj gjithmonë buzëqeshjen dhe fisnikërinë tënde mik i dashur. Qofsh i parajsës!

”Iku Ervini… Nuk më bëjnë duart të hedh këto rreshta! Rrallë here kam shkruar me kaq dhimbje. Aq më tepër në këtë kohë të pakohë, që po jetojmë. U shkëput dhe një nga ne. Ervin Saraçi…

Iku, sikur s’ish…I ri. Fare i ri. Një djalë fisnik u shkëput në lulen e rinisë nga kjo jetë. Kishte ditë, që luftonte me vdekjen. Shpresonim shumë, teksa mësuam se kishte pësuar vdekje klinike. Lusnim Zotin, që ta rikthente sërish në jetë dhe ai sërish të ishte mes gjirit të kolektivit të institucionit tonë. Por jo. Nuk qe e thënë që ai t’i kthehej jetës së lënë përgjysëm.

T’i kthehej familjes së tij dhe komunitetin të Elbasanit. Pse j! T’i kthehej Bashkisë së këtij qyteti, ku prej vitesh ishte njëri nga drejtuesit kryesorë. Ishte në këtë detyrë, por manifestonte thjeshtësi si ndër më të thjeshtët. Ervin, i dashur! Të kam njohur nga afër në punë e ke gëzuar respekt të veçantë nga unë e nga të gjithë. Por ja, që jeta qenka dhe e padrejtë! Vetëm Zoti lart e di, pse të mori!

Lamtumirë, o njeri i mirë! Lamtumirë o intelektual modest e besimtar i devotshëm! Emri yt mbetet gjithmonë në kujtesën tonë. I lehtë dheu, që do të mbulojë trupin tënd! Shpirti yt u trettë në paqe!”, shkruan një tjetër mik i tij.

Në datën 9 Dhjetor, Saraçi pësoi vdekje klinike, pasi gjendja e tij nuk shfaqte asnjë shenjë përmirësimi. Saraçi ka mbaruar studimet e larta për gjuhën Frenge në Elbasan, mandej kishte kryer Masterin Shkencat politike në Belgjike.

Në vitin 2013-2015 u emërua drejtor i drejtorisë së Kujdesit Social po në bashkinë Elbasan e më pas u rrit në detyrë, duke zënë postin e nënkryetarit të bashkisë, post të cilin e mbante deri tani.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re