Policia e Tiranës, përmes një njoftimi për qytetarët, ka publikuar arsyen e shoqërimit në komisariat të ish-deputetit demokrat Kastriot Islami. Në njoftim thuhet se Islami, kërcënoi efektivët e patrullës policore duke i fyer dhe duke përdorur një fjalor shumë të ulët. Sipas policisë në këto kushte patrulla është detyruar ta shoqërojë në ambientet e komisariatit, ku janë kryer procedurat ligjore dhe i është komunikuar gjoba për mosmbajtjen e maskës mbrojtëse.

Njoftimi i plotë: Drejtoria  Vendore e Policisë Tiranë

Në mënyrë të përsëritur shtetasi Kastriot Islami është prononcuar publikisht me pretendimin që Policia e Shtetit e ka keqtrajtuar.

E vërteta është se ky shtetas ka keqtrajtuar punonjësit e patrullës policore me një fjalor shumë të ulët.

Kastriot Islami është ndaluar nga patrulla  e Përgjithshme si një kalimtar pa maskë. Ai menjëherë ka lëshuar  ndaj punonjësve të policisë fjalë të ulëta, duke pretenduar se ai ishte një figurë publike që nuk mund të ndalohej prej tyre. Madje  shtetasi i ka kërcënuar punonjësit e policisë, që “do ta shihnin pas 25 prillit, si të gjithë zagarët e Ramës”!

Patrulla e policisë është detyruar ta shoqërojë atë në komisariat, ku janë kryer procedurat ligjore dhe i është komunikuar gjoba për mosmbajtjen e maskës mbrojtëse.

Duke hedhur poshtë akuzat e fabrikuara nga shtetasi Kastriot Islami për Policinë e Shtetit dhe shprehur keqardhjen për fjalorin e tij ndaj punonjësve tanë, gjejmë rastin të theksojmë se Policia e Shtetit nuk i shërben politikës por ligjit.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re