Protestat për projektet në Zvërnec dhe Sazan kanë marrë një vëmendje të madhe edhe nga faqet e propagandës ruse në “X”.

Një influencer shprehet se ishulli i Sazanit do të kthehet në një ishull si ai i Jeffrey Epstein.

“Duhet t’i kushtoni rëndësi Shqipërisë për momentin. Çfarë po ndodh atje është që Kryeministri Edi Rama ka shitur zonat e mbrojtura natyrore dhe të vetmin ishull te Jarred Kushner për të bërë këtë resort gjigant. Nuk mund t’i shpikësh këto gjëra. Një ishull si të Jeffrey Epstein, këtë po bëjnë edhe në ishullin e Sazanit. Zonat e mbrojtura natyrore në zonën e Zvërnecit, aty është një manastir shumë i bukur për të krishterët ortodoksë. Natyra aty, jetojnë rreth 200 specie, 5 në rrezik. Dhe do ta shkatërrohet prej disa njerëzve të pasur”, shprehet influenceri.

Ndërkohë disa faqe të tjera thonë:

“Në fund, dhëndri i Trumpit, Kushneri, dhe miku i tij Nat Rothschild e blenë ishullin grek të Sazanit për ta shndërruar në një ishull të ri Epstein?”

“Ishulli i Sazanit është ishulli grek i Sasonit, i njohur që nga lashtësia dhe i banuar nga grekët që prej vitit 1000 p.e.s. Në vitin 1914, ushtarët shqiptarë shkuan në ishull dhe masakruan 100 banorë grekë, burra, gra dhe fëmijë. Le të ndërtojë Kushneri hotele mbi varret e grekëve të vrarë.”

Ndërkohë gjithashtu kjo ka marrë vëmendje edhe nga faqet greke, të cilat shkruajnë se: “Svërnica është një fshat grek jashtëzakonisht i bukur në rajonin e Vlorës. Qeveria shqiptare, së bashku me familjen Trump, po u sekuestron shtëpitë epirotëve të veriut në këtë zonë. Qeveria, sigurisht, po bën sikur nuk sheh, duke reaguar vetëm në mënyrë të vakët.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re