Skip to content

“Do të doja të shihja këtu partnerët ndërkombëtarë…”, Bylykbashi i kërkon llogari Llagamit për hartën e re gjyqësore: Nuk po e bëni për të ardhmen, por të zgjidhni hallin që ju ka zënë

  • 15/06/2022

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi është përplasur me kryetaren e KLGJ-së Naureda Llagami, pas miratimit të hartës së re gjyqësore, që do të reduktojë ndjeshëm numrin e gjykatave në rang vendi.

Ai ngriti një seri pyetjesh në drejtim të Llagamit, ndërsa tha se harta e re gjyqësore bëhet vetëm për shkak të vakancave që ka krijuar Vetingu, e në këtë rast kujtoi edhe përplasjen me ndërkombëtarët, që sipas tij duhet të ishin sot përballë shqetësimeve të ngritura.

Bylykbashi tha se ka kosto të shtuara për qytetarët që tashmë nuk do të mund të marrin drejtësi.

“E nderuar zonja kryetare e KLGJ, çështja e hartës nuk është se keni bërë ndonjë shpikje, është pasojë e kolapsimit të sistemit. Në 1999 është bërë e njëjta gjë dhe dështoi, do të dështojë edhe kjo. Ne të gjithë e dimë që nuk është një veprim për të ardhmen, por për të zgjidhur hallin e të tashmes. Është halli se sot nuk ka gjyqtarë.

Sistemi i drejtësisë nuk jep shërbim, është një qasje e gabuar, drejtësia jepet në çdo cep të republikës, qasja e KLGJ me tahminë, se këtu do e heqim gjykatën dhe këtu do e mbajmë, nuk është drejtësi. Nëse në Tiranë ka më shumë çështje merrni masat, do të doja të shihja këtu partnerët tanë, që ti thoshim sot, se kjo është ajo që ne iu kemi thënë 6 vite më parë po ndodh.

Sot keni deklaruar se 80% e gjyqtarëve do të ikin nga sistemi, dhe këtë do ta vuajnë qytetarët, nuk ka rëndësi përpjestimi matematikor i dosjeve për gjyqtarët. Çështjet dhe konflikti lindin atje ku jetojnë këta njerëz.

Po që se mendon zonja Llagami, për një përgjigje le të ma japë. Prolemi nis te ata njerëz, në Tropojë dhe në gjithë rrethet e tjera ka pasur gjyqtarë gjithmonë, tani ti duhet ti thuash qytetarit që bridh, ose paguaj një tjetër për tu përballur me hallin tënd.

A ka një qytetar që të paguajë më shumë për të marrë drejtësinë e tij, a e keni bërë llogarinë se sa i kushton gjyqtarit deri në fund? Në të gjitha shkallët. Kur mendoni ju se sistemi i drejtësisë do të jetë në gjendje që të operojë me standardet normale. Ju flisni për paketën e eficensës, dhe ne kemi përpara deficensë, mungesa”, ishin pikëpyetjet e ngritura nga Bylykbashi.

/faxweb

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë