Taulanda Jupi, anëtare e Kryesisë së Partisë Demokratike, e ftuar në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, tregoi përjetimet e saj nga brenda selisë, ditën e protestës së 8 janarit.

“Unë kam qenë në selinë e Partisë Demokratike, për mbledhjen e Kryesisë, që nisi rreth orës 09:00. Ajo që përjetova atë ditë, do të duhet kohë të më hiqet nga kujtesa. Ka nevojë për reflektim mes demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë. Gjithçka që ndodhi aty nuk duhet ta shohin sot qytetarët shqiptarë.

Mbaj mend që isha në sallën e madhe, kur më fluturuan para fytyrës gura, sende të forta, dhe një pjesë e xhamave u thyen. Është ushtruar dhunë ndaj selisë së partisë dhe njerëzve që ishin brenda në të. Ishte dhunë e orkestruar, pasi kur vjen në protestë paqësore, nuk vjen me çekanë dhe gurë me vete”, u shpreh Jupi.

Sipas saj, “gazi lotsjellës është futur në seli nga xhamat e thyer të sallës së mbledhjeve”.

“Në sallën ku unë kam qëndruar, janë hedhur vetëm dy bombola nga ato që përdoren për të fikur zjarrin. Nuk ka pasur gaz lotsjellës. Unë gazin e kam ndjerë kur erdhi policia dhe e hodhi atë”, theksoi Jupi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re