Skip to content

Do të ekstradohen nga Dubai në Shqipëri, kush janë 3 ‘ushtarët’ e Talo Çelës, të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale

Ado Xhika, Maksim Koçi dhe Ervis Daka janë tre kriminelët që do të ekstradohen sot nga Dubai në Shqipëri.

Tre kriminelët që cilësohen si ‘ushtarët’ e të shumëkërkuarit të drejtësisë Talo Çela, u arrestuan një muaj më parë në Dubai.

Ervis Daka akuzohet se ka informuar shtetasit që kanë tentuar të vrasin shtetasin K. P., në lidhje me lëvizjet e tij.

Ai ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasit A. S. Po ashtu ka strehuar dhe ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë, shtetasit të shumëkërkuar Talo Çela.

Maksim Koçi ka marrë pjesë në vrasjet e shtetasve K. K. dhe I. A. Ai ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasve A. S. dhe A. C. alias A. S dhe ka ndihmuar shtetasin e shumëkërkuar Talo Çela për t’u fshehur.

Ndërsa Ado Xhika akuzohet se për rreth 2 vjet, ka ndihmuar shtetasin Talo Çela duke i krijuar kushtet e nevojshme për jetesë. Po ashtu ka shoqëruar 1 gazetar, me qëllim intervistimin e shtetasit Talo Cela.

Lexo edhe: EMRAT/ Të akuzuar për vrasje në kuadër të organizatave kriminale, ekstradohen sot nga Dubai tre “ushtarët” e Talo Çelës! Një prej tyre e ndihmoi t’i fshihej drejtësisë

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme, të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, në Shqipëri, të shtetasve të shumëkërkuar, pjesëtarë të organizatave kriminale:

A. Xh. alias A. C. alias E. C., i akuzuar nga GjKKO-ja, se në kuadër të organizatës kriminale, ka përkrahur një shtetas të shumëkërkuar;

E. D., i akuzuar nga GjKKO-ja, si pjesëtar i një organizate kriminale që ka planifikuar vrasje dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar;

M. K., i akuzuar nga GjKKO-ja, për vrasje dhe sigurim të mjeteve për të kryer vrasje, të kryera në kuadër të organizatës kriminale, si dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar.

Në lidhje me orën e mbërritjes, do të ketë një njoftim tjetër.

“”