Një komitet teknik do të themelohet për zbatimin e vendimeve të marra në dialogun strategjik midis Irakut dhe SHBA-së, njoftoi një zyrtar irakian, pas raundit të tretë të bisedimeve strategjike.

Zëdhënësi i ushtrisë irakiane, Yahya Rasool, në një deklaratë tha se kryeministri Mustafa al-Kadhimi ka urdhëruar formimin e komitetit për të miratuar “mekanizmat dhe kohën” në lidhje me tërheqjen e trupave luftarake të SHBA-së nga Iraku.

Delegacionet udhëhiqeshin nga ministri i Jashtëm irakian, Fuad Hussein dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Në një deklaratë të përbashkët thuhet se diskutimet në bisedimet virtuale u zhvilluan rreth sigurisë dhe antiterrorizmit, ekonomisë, energjisë dhe mjedisit, çështjeve politike dhe marrëdhënieve kulturore.

“Palët konfirmuan se misioni i SHBA-së dhe forcave të Koalicionit tani ka kaluar në atë që është e përqendruar në detyrat e trajnimit dhe këshillimit, duke mundësuar kështu rivendosjen e të gjitha forcave tjera luftarake nga Iraku, me kohën që do të vendoset në bisedimet e ardhshme teknike”, thuhet më tej.

Kryeministri irakian, Al-Kadhimi shkroi në Twitter se vendimet do të siguronin që jeta në Irak të kthehej në normalitet. Ai shtoi se dialogu është mënyra paqësore për të zgjidhur krizat dhe se populli irakian meriton të jetojë në paqe dhe siguri.

Thirrjet për tërheqjen e trupave amerikane u shtuan pas një sulmi ajror të drejtuar nga Washingtoni në të cilin u vra gjenerali iranian Qassem Soleimani në Bagdad vitin e kaluar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re