Kreu i PD-së Lulzim Basha, në fjalën e tij me qytetarët në Kukës, deklaroi se me Partinë Demokratike në pushtet, do të hapen më shumë se 100 mijë vende pune për të rinjtë.

Basha thekson se PD në qeveri do të mbështesë familjet, që sapo janë ndërtuar.

“I gjithë plani ynë ekonomik me uljen e taksave me çmimin e naftës dhe të energjisë dhe thithja e investimeve të huaja dhe rindezja e ekonomisë shqiptare, rindezja e ekonomisë së brendshme do t’i shërbejnë pikërisht këtij qëllimi, krijimit të vendeve të punës dhe ne kemi përllogaritur këto masa brenda katër viteve të para do të arrijmë të krijojmë diku midis 100-110 mijë vende të reja pune kryesisht për të rinjtë. Pra ndihmë për familjen, ndihmë për prindërit e rinj, për strehimin, për fëmijët. Pra për t’i dhënë fund tkurrjes së popullsisë dhe mbi të gjitha një plan konkret për të avancuar me zhvillimin ekonomik të vendit.

Tre miliardë euro investime gjermane në Maqedoni, 40 mijë vende të reja pune vetëm për të rinjtë në Serbi kjo është arsyeja. Se për çdo të ri që largohet nga Serbia largohen 12 nga Shqipëria se këtu nuk i keni këto e pra po ju them dhe diferenca e vetme është një qeveri që kujdeset për ju apo një qeveri që nuk i bëhet vonë për ju. Këtë të fundit e kemi patur për tetë vite me radhë. Me 25 prill është dita t’i tregojmë derën. Votoni për partinë demokratike, votoni për numrin 9, votoni për ndryshimin dhe kur flas për ndryshimin, flas për ndryshimin e jetës suaj, familjeve tuaja dhe të gjithë Shqipërisë!”, tha Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re