“Fredi Beleri duhet të ishte thirrur në Prokurori”. Kështu u shpreh jurisjta Brizida Gjikondi për deklaratën që bëri Fredi Beleri për një media greke se ka një platformë për të helenizuar Himarën. Për “Tirana Live” me Elisa Gjeranin, juristja tha se nuk bëhet fjalë vetëm për një deklaratë por për një vepër penale.

“Beleri bën akoma qejf në shtetin tonë sepse e ka lejuar të ripërsërisë veprat penale të mëparshme. Në 2006 është dënuar për përçudnim të simboleve kombëtare. Në zgjedhjet e 2003, ka djegur flamurin kombëtar dhe është dënuar me tre vjet burg. Nuk i bëri sepse si burrec që është, që gjithmonë ia mbath jashtë.

Edhe deklaratat antikombëtare i bën jashtë, u arratis që të mos vuante dënimin dhe e çoi çështjen në Strasburg. Strasburgu e rrëzoi kërkesën e tij. Ne kemi një personazh në qoftë në drejtësi, qoftë në rastin e cënimeve të vlerave kombëtare, përsëritës, nuk duhet të ishte aty ku është sot që të kandidonte.

Më ironike është që është në strehën e një partie që bën sikur simbolin më të fuqishëm ka sovranitetin. Vë në dyshim sovranitetin duke shkelur Kushteturën e Shqipërisë, duke shkelur Kodin Zgjedhor dhe Penal. Vepra që ka bërë është e cilësuar. Ai sot duhet të ishte thirrur nga Prokuroria e Vlorës.

Nuk mund të vazhdojmë ne të kemi për konsumim dicka që është një vepër e rëndë kombëtare pavarësisht se ai nuk ka vlera si personazh. “, tha juristja.

Më tej, juristja shtoi se përgjegjësia bie edhe mbi mbi koalicionin “Bashkë Fitojmë” nën të cilën Beleri kandidaton për bashkinë e Himarës. Juristja shtoi se Beleri ka bërë veprime të përsëritura dhe për rrjedhojë, drejtësia duhet të veprojë për të shmangur deklarata të tilla që nxisin urrejtje etnike.

“Përgjegjësia nuk është vetëm e Belerit por edhe e partisë ku është strehuar. Neni 9 i Kushtetutës thotë se partitë politike që nxisin dhe përkrahin urrejtjen etnike, që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit janë të ndaluara sipas ligjit. Ajo që ka thënë ai, është haptas nxitje dhe urrejtje etnike.”, tha juristja.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re