Ministri i Brendshëm Taulant Balla, pas mbledhjes së qeverisë, ka njoftuar miratimin e rregullave të reja për procesin e licencimin për përdorimin e fishekzjarrëve dhe për procesin e magazinimit të tyre në mënyrë të sigurt.

Balla tha se e kupton dëshirën për të festuar duke shpërthyer fishekzjarrë, por kur bëhet nga persona të paautorizuar, cilësohet shkelje dhe ndëshkohet edhe penalisht.

“Kemi patur ankesa lidhur me përdorimin në mënyrë të parregullt të lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve kryesisht. Sot në mbledhjen e qeverisë kemi miratuar rregulla të reja për procesin e licencimin, por edhe me procesin e magazinimit. Do të jemi shumë strikt në këtë drejtim, ndërsa procedura do të lehtësohet.

Apeli im ndaj çdo qytetari, e mirëkuptoj dëshirën për të festuar, por kjo nuk duhet të dëmtojë apo të prishë qetësinë e anëtarëve të tjerë të komunitetit. Sot në Shqipëri, është e palejuar dhe ndëshkohet edhe penalisht përdorimi i lëndëve piroteknike nga persona të paautorizuar dhe natyrshëm duke shkaktuar prishje të qetësisë publike.

Apeli im është; të dashur qytetarë Policia e Shtetit po monitoron situatën dhe është detyruar të aplikojë dhe penalitete. Gjatë kësaj jave kemi pasur disa raste dhe pas kësaj vihet re që jo të gjithë qytetarët e kanë kuptuar se historia duhet të mbarojë. Besoj do të gjejë mirëkuptimin”, tha Balla.

Gjithashtu në mbledhjen e qeverisë është miratuar dhe vendimi për ristrukturimin e Këshillit Konsultativ mes qeverisë qendrore dhe atij vendor.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku u shpreh si vijon:

“Një tjetër vendim i rëndësishëm që kaloi sot është një vendimi për ristrukturimin e Këshillit Konsultativ mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor. Në vijim të bisedave gjatë turit të dialogut vendor, një nga nevojat që u pa qartësisht ishte nevoja  që të ristrukturojmë dhe të përafrojmë edhe më tej mënyrën se si qeveria dialogun në mënyrë të vazhdueshme me strukturat e pushtetit vendor.

Ndaj Këshilli Konsultativ, i përbërë nga 11 anëtarë të qeverisë dhe 11 anëtarë të pushtetit vendor takohen vazhdimisht për të diskutuar paraprakisht aktet qe qeveria kërkon të kalojë dhe lidhen me pushtetin vendor, por edhe problemet që bashkitë kanë në lidhje me situatat e tyre financiare apo nevojat e tjera ndërveprimi që ata kanë.

Elementi i dytë që shtohet në këtë akt është krijimi i një Këshilli Teknik, e cila do të marri në shqyrtim nga ana teknike aktet, të ketë mundësinë të përmirësojë para se të kalojnë.

Ne kemi vendosur, që duke nga filluar nga muaji maj i vitit të ardhshëm, të kemi çdo muaj takim mes bashkive dhe të gjithë kabinetet qeveritar, për të diskutuar në mënyrë specifike për problemet që ata mund të kenë.”

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re