Liga Profesioniste e Futbollit ka vendosur të bojkotojë kampionatin e ardhshëm në rast se nuk plotësohen 4 kushte nga Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë. Presidenti i ekipit të Apolonisë, Koco Kokëdhima ka folur për Fax News duke sqaruar se vendimi ekstrem u mor pasi sipas tij, qeveria nuk dëshiron të lëvizë asnjë gisht për futbollin shqiptar.

“Nuk e kemi bërë në dakordësi me FSHF. Ky vendim është i Ligës Profesioniste të Futbollit Shqiptar, pra i presidentëve të klubeve superiore të Shqipërisë. Është një vendim ekstrem, vendim i imponuar, vendim që ne kemi qenë të detyruar ta marrim që të gjithë njëzëri sepse qeveria nuk dëshiron të bëjë asgjë për botën e futbollit”, u shpreh Kokëdhima.

I pyetur se cfarë do të bëjnë në rast se qeveria nuk bën asnjë veprim, Koco Kokëdhima foli i bindur se këtij vendimi do ti bashkohen kategoria e parë dhe e dytë duke sjellë bojkotin e 20 mijë lojtarëve.

“Nuk do ta vazhdojmë këtë garë. Kjo garë është bërë e pamundur të vazhdojë. Kampionati i kategorisë superiore të Shqipërisë është i pamundur të vazhdojë. Gjysma e klubeve janë të mbytur në gjoba, në kamatëvonesa, llogaritë e tyre janë në sekuestro, janë në pamundësi të plota financiare, kështu që kjo është një garë e pamundur.

S’ka marrë zgjidhje se qeveria nuk ka veshë, nuk do të dëgjojë dhe të marrë përgjegjësi. Ndjek vetëm strategjinë e hileve, përpiqet t’jua bëjë me hile sic ua ka bërë me hile të gjithë këtë tranzicion 30 vjecar.

Jam i sigurtë që këtij vendimi do ti bashkohen dhe kategoria e parë dhe e dytë. Besoj se të gjitha institucionet e futbollit në Shqipëri, pra do të jenë në bojkot 20 mijë lojtarë. Mendoj që qeveria me urtësi duhet të marrë përgjegjësitë e veta dhe të plotësojë kërkesat tona minimaliste dhe shumë të ligjshme. Përndryshe kjo histori do të degjenerojë dhe më keq akoma”, tha Kokëdhima.

VENDIMI/ Liga Profesioniste te Futbollit, pasi u njoh me ndryshimet ligjore për sportin të realizuara deri më tani, konstaton me keqardhje se këto ndryshime nuk i japin zgjidhje kërkesave te klubeve te Kategorisë Superiore dhe nuk përmbushin premtimet e bëra nga Qeveria Shqiptare ne tryezën e 11 marsit 2019.

Në këto kushte, Liga Profesioniste e Futbollit kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë:

1.Miratimin e një ligji të ri për sponsorizimet sipas formës së propozuar nga komuniteti i futbollit, pasi ndryshimet e propozuara nga qeveria nuk kanë asnjë efekt real mbi ekonominë e futbollit; 2.Përfshirjen e të gjitha aktiviteteve ekonomike të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6%, si bujqësia dhe turizmi dhe jo vetëm infrastrukturën sportive.

3.Zerimin e gjobave dhe kamatë-vonesave për detyrimet fiskale të prapambetura për të shmangur kolapsin financiar të klubeve; 4.Zgjatjen e efekteve të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat për sportistët nga 2 në 10 vite.

Për sa më sipër, LPF vendosi, të bojkotojë Kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore nga data 12 shtator e në vijim, deri në plotësimin e kërkesave te mësipërme.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re