Eno Bozdo, në një deklaratë për media, është shprehur se Qeveria Rama ka vendosur të japë me prokurim, Prokurimin Publik, teksa shton se është e e paimagjinueshme dhe e pa praktikuar nga ndonjë shtet tjetër.

Bozdo shprehet se është absurde se si administratës që paguhet nga taksat e shqiptarëve për të dhënë këto shërbime, i hiqet një funksion dhe krijohet një barrë e re për xhepin e qytetarit.

Ai shton se e gjitha për të kënaqur klientët e qeverisë dhe llogaritë offshore, po të qeverisë.

Deklarata e Bozdos:

Qeveria Rama ka vendosur të japë me prokurim, Prokurimin Publik. Amendimet e Ligjit për Prokurimin Publik do ta mundësojnë këtë duke filluar nga muaji prill i këtij viti.

Pra, taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë një kompani private e cila do të prokurojë cdo gjë që ka lidhje me shërbimet publike të qeverisë dhe të agjensive shtetërore, afro 1, 7 miliardë euro në vit. Sikur 1% të marrë kjo kompani për “performancën” e saj, rreth 170 milionë euro do të avullojnë nga arka e shpuar e shtetit shqiptar! Sa për kujtese 140 mil euro, paguajmë ne cdo vit nga buxheti per koncesionet/PPP që nuk ekzistojnë.

Ja pra ku ndeshemi me PPP e radhës, e paimagjinueshme dhe e pa praktikuar ngha ndonjë shtet tjetër. Mos harroni se Rama pati tentuar, pa sukses, që vite më parë, të jepte me koncension edhe mbledhjen e TVSH-së.

Mesa duket, Rama, i cili sapo ka premtuar se Prokurimin Publik do të mundësojë me anë të Inteligjencës Artificiale, tashmë e ka kuptuar se ka një zgjidhje edhe më inteligjente, edhe pse shumë artificiale, për xhepin e tij: t`ia marrë fare këtë funksion thelbësor administratës. Është absurde se si administratës që paguhet nga taksat e shqiptarëve, ndër të tjera edhe për të dhënë këto shërbime, i hiqet një funksion dhe krijohet një barrë e re për xhepin e qytetarit. E gjitha për të kënaqur klientët e qeverisë dhe llogaritë offshore, po të qeverisë.

Edi Ramës duhet ti jetë mbushur mendja nga “suksesi i jashtëzakonshëm i PPP-ve të Check-Up, të Strerilizimit, të Laboratorëve, të Inceneratorëve, të Portit të Durrësi,t e kështu me radhë. Me sukses, të dashur shqiptarë, kuptoni vetëm një gjë: mbushjen e xhepave të Ramës dhe bandës së tij.

Në qershor 2010, Organizata e Kombeve të Bashkuara, i akordoi Shqipërisë vendin e dytë në botë për “eficencën dhe trasparencën në shërbimet publike”. Sepse Shqipëria u bë vendi i parë në botë që aplikonte 100% prokurimin elektronik për të gjitha shërbimet publike, duke rritur në nivelin më të lartë trasparencën dhe efikasitetin e këtij shërbimi.

Si rezultat, u rrit ndjeshëm numri i bizneseve që merrnin pjesë në prokurim dhe në të njëjtën kohë u ul ndjeshëm oferta kundrejt fondit limit. Shqipëria, në këtë mënyrë arriti të kursente rreth 80 deri 100 milionë euro në vit.

Që nga viti 2010 shumë kohë ka kaluar, por hapat e Shqipërisë në këtë aspekt kanë qenë mbrapsht, duke e kthyer sistemin e prokurimit publik në një strehë të madhe kusarësh. 40% e tenderave të prokurimit publik janë zyrtarisht me një ofertues të vetëm, dhe thuajse 99% të gjitha procedurave përfundojnë te kufiri i fondit limit. Me pak fjalë, nuk ka asnjë garë, por edhe kur ka, ajo është në letër sepse gjithcka është vendosur më parë.

Tenderat në cdo sektor janë të paracaktuar, dhe për ato paguhen në dorë 30% e shumës së prokuruar.

Që shqiptarët të mos rrinë duke vështruar zhvatësit që gjejnë teknika të reja grabitjeje, duhet ndërruar qeveria, jo populli. Edi Rama dhe Rilindja e kanë thënë dhe vërtetuar se kanë të parën partinë dhe xhepin, jo Shqipërinë.

Për këtë ata duhen qëruar nga zyrat: O sot, o kurrë!

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re