Presidenti Ilir Meta thotë se situata e pandemisë nga koronavirusi pritet të zgjasë në kohë dhe do të ketë edhe pasoja ekonomike.

Sipas kreut të shtetit, qeveria duhet të marrë masa edhe në fushën e biznesit, ndërsa thekson se prioriteti parësor duhet të jetë shëndeti i qytetarëve.

Gjatë një interviste për drejtorin e Informacionit të News24, Robert Rakipllari, Meta flet edhe për Task-Forcën e krijuar në Presidencë.

Meta: Është një situatë e jashtëzakonshme globale. Është një situatë e re, me të cilët duhet të mësohemi dhe të nxjerrim eksperienca të reja për ta përballuar me kosto minimale në radhë të parë pa kosto për shëndetin për qytetarët. Do të jetë një betejë e gjatë, e cila pritet të zgjasë në një kohë të pacaktuar. Mbështetja fillimisht duhet të shkojë për ata që janë prekur nga ky virus, që të kalojnë këtë moment pa rrezikuar jetën e tyre por edhe për familjarët dhe personelin që është në shërbimin e tyre. Pa dyshim impakti do të jetë i përgjithshëm. Jemi në një moment vetëmbrojtje ku kujdesi do të jetë maksimal. Çdo orë, çdo ditë duhet të forcojmë mekanizmin parandalues.

Në vazhdimësi kam qenë në komunikim me të gjitha institucionet dhe marrjen e kompetencave të secilit prej tyre në përballimin dhe parandalimin e këtij fenomeni. Është prioritare që kjo situatë të normalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Por, edhe për përshkallëzimit të mundshëm të kësaj pandemie. Pa dyshim që impakti tashmë ka filluar të mos jetë pozitv dhe kjo natyrisht është edhe për vendet e tjera. Çdo vend mobilizon resurset e tij për të mbrojtur veten dhe nuk është si në rastin e fatkeqësisë së tërmetit, ku gjithkush përpiqet të ndihmojë.

Ekperiencat e Italisë duhet të na shërbejnë edhe ne për të adoptuar masa të reja edhe parandaluese dhe përmirësuese. Për sa i përket task-forcës në Presidencë është në shërbim të Presidentit. Nuk dublon task-forcën e Ministrisë së Shëndetësisë. Ajo është një Task-Forcë e cila ndihmon për të monitoruar të gjitha zhvillimet me qëllim të vetëm përmirësim të reagimit shtetëror për përballimin e kësaj situate emergjence.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re