Ministria e Shëndetësisë do të punojë në ngritjen e kapaciteteve që i gjithë trajtimi i kancerit të gjirit të bëhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Kështu është thënë sot në manifestimin informativo-kulturor dhe ecjen tradicionale në muajin e luftës kundër kancerit me moton “Zbulimi i hershëm = Mbijetesë”, që për herë të dhjetë është organizuar nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se qëllimi i këtij aktiviteti është senzibilizimi për rrezikun që sjell kanceri i gjirit dhe parandalimin e tij me kohë.
“Rreziku më i madh për shkak të hezitimit të femrës kosovare kryesisht në zonat rurale që të bëjnë kontrollet e duhura. Qeveria e Kosovës obligohet që të rrugëtojmë së bashku me të gjitha mekanizmat që të ndihmojmë në diagnostifikimin e hershëm që kjo sëmundje mos ta mund askënd në Kosovë”, tha Haradinaj.
Ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli tha se do të bëjë çmos që të ngritin kapacitetet që i gjithë trajtimi i kancerit të gjirit të bëhet në QKUK.
“E keni përkrahjen time dhe do të ketë rritje buxhetore për trajtimin e sëmundjes tuaj. Do të jem aleati juaj dhe do të arrijmë të realizojmë shumë projekte për ju”, tha ai.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se ecja tradicionale në muajin e luftës kundër kancerit, shënon përpjekjen tonë të vazhdueshme për t’u vetëdijesuar për rrezikun nga kanceri i gjirit dhe ky pikë takim është thirrje për mbështetje institucionale me qëllim që kjo sëmundje të zbulohet më herët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re