Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përcjellë mesazhin e tij të ngushëllimit për ndarjen nga jeta para kohe të Presidentit të “Fax News”, Kasem Hysenbelliu.
“Jam i hidhëruar nga lajmi tronditës për ndarjen nga jeta të Kasem Hysenbelliut, një qytetar i angazhuar dhe luftëtar i medias së lirë. Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes Hysenbelliu për këtë humbje të rëndë! Lutjet dhe mendimet e mia janë sot me ta, si dhe me miqtë, kolegët dhe ekipin e televizionit Fax News”, shkruan lideri i opozitës.
Basha thekson se Kasem Hysenbelliu “do të kujtohet si një ndër kontributorët e spikatur në fushën e medias”.
“Për ne që e kemi njohur personalisht, Kasemi do të mbetet shembulli i njeriut kurajoz, të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë dhe një përkrahës i të drejtës dhe të vërtetës. Ai do të kujtohet si një ndër kontributorët e spikatur në fushën e medias, themelues dhe president i televizionit Fax News, administrator i gazetës më të madhe në vend “Panorama” dhe i televizionit “News24”.
Trishtimi dhe dhimbja janë të mëdha për këtë humbje tragjike. U prehtë në paqe!”, përfundon mesazhi i kreut të PD.
