Këshilli Politik do të mblidhet sot në orën 17:30 në ambientet e Pallatit të Kongreseve për të diskutuar për pikën ‘e nxehtë’ për të cilën nuk ka ende dakordësi mes palëve. Tema e diskutimit gjatë ditës së sotme do të përqendrohet tek propozimi i ri i opozitës jashtëparlamentare. Por palët do të diskutojnë edhe për çështjet e tjera për të cilat janë diskutuar dhe më herët pasi duhet të përmbyllet drafti deri më datën 30 qershor dhe të kalojë në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.

Ka qenë përfaqësuesi i mazhorancës, Damian Gjiknuri që ditën e djeshme kërkoi mbledhjen e Këshillit Politik. Nga ana e opozitës së bashkuar, ka pasur një reagim dhe një propozim, i treti në radhët e PD sa i takon zgjedhjes së anëtarëve të KQZ. Palët dakordësuan një marrëveshje në praninë e ndërkombëtarëve më 5 qershor ku  u firmos nga 4 përfaqësuesit e Këshillit Politik, duket se nuk po gjejnë ende një consensus për formulën e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ dhe për këtë arsye dy propozimet e para të PD janë hedhur poshtë nga mazhoranca aktuale, ndërsa pas deklaratës dhe komunikimit të Gjiknuri, PD i është përgjigjur me propozim të ri.

Ky përkon me propozimin e tretë për formulën e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ. Zgjedhjen e anëtarëve të KQZ, PD e propozon të bëhet me një formulë ku të ngrihet një komision parlamentar dhe pjesë e tij të jetë dhe një përfaqësues i opozitës jashtëparlamentare me një të drejtë vetoje.

Kërkojnë që ky përfaqësues të zgjedhë dy nga 5 përfaqësuesit e rregullatorit dhe 2 nga 5 anëtarët e komisionit të apelimit e sanksioneve. Po ashtu, shumica të zgjedhë 3 të tjerët. Më pas Kuvendi miraton ose rrëzon të pestë të përzgjedhurit. Ndërsa për komisionerin i lihet PS në bazë të propozimit të PD që të zgjedhë 4 kandidatura, 2 prej të cilave për komisionerin të përjashtohen nga opozita jashtëparlamentare dhe 2 të mbeturit të kalojnë për votim në Kuvend.(A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re