“Aleatët nuk duhet ta bëjnë njëri-tjetrin të vuajnë me tarifa”, tha Emmanuel Macron sot, në ditën e parë të Panairit Bujqësor të Parisit, në një kohë kur Donald Trump kërcënon të vendosë tarifa për shumë produkte evropiane.
“Unë do të flas me të për këtë, dhe do përpiqem që ta qetësoj”, tha presidenti francez, i cili do të takohet të hënën me homologun e tij amerikan në Uashington.
“Sektori bujqësor dhe agroushqimor (francez) është një sektor i rëndësishëm eksporti, kështu që ne duhet ta mbrojmë atë për ta bërë edhe më konkurrues”, shtoi ai.
Që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump ka paralajmëruar zbatimin e tarifave reciproke. Ai paralajmëroi edhe kthimin e tarifave për çelikun dhe aluminin.
Dhe ndërsa ai tashmë ka vënë në shënjestër Kanadanë, Meksikën dhe Kinën, ai ka pohuar rregullisht se vendet evropiane ishin gjithashtu të kërcënuara.
Në Francë, kultivuesit e verës janë veçanërisht të shqetësuar për kthimin e tarifave amerikane për konjakun dhe verën, të cilat i eksportojnë masivisht në Shtetet e Bashkuara.
“Ne do të diskutojmë marrëveshjet tona, mosmarrëveshjet tona dhe veçanërisht shpresoj se do të gjejmë zgjidhje për çështjen e Ukrainës”, tha Macron.
“Do të përpiqem ta bind atë të ecë në drejtimin e duhur dhe nëse jo, ne do të ndërmarrim hapa”, shtoi pak më vonë presidenti francez, duke kujtuar se SHBA është një “aleat historik” duke theksuar se “ne të gjithë duhet të veprojmë për të frenuar Rusinë”.
Uashingtoni i ka propozuar një projekt-rezolutë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që bën thirrje për “fundin e shpejtë të konfliktit dhe thirrje për paqe të qëndrueshme midis Ukrainës dhe Rusisë “, një formulim i paqartë që është shumë larg nga tekstet e mëparshme që mbështesin qartë Kievin dhe që nuk përmend respektin për integritetin territorial të vendit.
Presidenti amerikan nisi një sulm të ri ndaj homologut të tij ukrainas dje, të premten. Edhe pse ai besonte se Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin “duhet të bisedojnë me njëri-tjetrin” për “t’i dhënë fund masakrës së miliona njerëzve”, ai konsideroi se prania e presidentit ukrainas “nuk është e rëndësishme” në negociatat me Rusinë.Vizionplus
