ITALI– Maria Rita Gismondo, drejtore e laboratorit të mikrobiologjisë klinike në spitalin Sacco në Milano ka deklaruar se 60-70% e popullsisë së Italisë do të jetë shumë shpejt e infektuar nga Covid-19, por kjo gjë nuk e shqetëson aspak. Në një lidhje për emisionin “Italia është zgjuar” Gismondo tha se teksa shifrat rriten, kuptohet që ky virus është më pak vdekjeprurës seç dihej. Ajo shton gjithashtu se pjesa më e madhe e atyre që ndërrojnë jetë janë mesatarisht në moshën 81-83 vjeç, ndërsa ata që janë shëruar nga koronavirusi janë dyfish i personave që aktulisht janë të shtruar në spital.

“Të gjithë e dimë se ky virus po përhapet shumë më tepër në popullsi. 60-70% e popullsisë së shpejti do të jetë pozitive, por ne nuk kemi pse të shqetësohemi. Ndërsa numrat rriten, ne do të kuptojmë se ky virus është më pak vdekjeprurës sesa mendojmë tani. Ky virus, në shumicën e rasteve, është ose i heshtur ose na jep simptoma të ngjashme me gripin. Më të prekurit janë të moshuarit me 1 ose 4 patologji.

Mjekësia nuk është kurrë një shkencë e saktë, prandaj nuk do të thotë që nuk mund të ketë raste të disa të rinjve. Sidoqoftë, duhet të shohim kurbën, duhet të flasim për shumicën e rasteve. Duhet të shohim nëse ka sëmundje të tjera. Sot mosha mesatare e atyre që ndërrojnë jetë është 81-83 vjet, të shëruarit janë pothuajse dyfishi i personave që janë shtruar në spital në kujdesin intensiv.

Një rënie drastike e rasteve do të pritej brenda dy javësh, por “ne nuk mund të mendojmë që virusi do të zhduket në dy javë. Ai do të na shoqërojë për disa muaj më shumë. Nxehtësia do të jetë një aleat kundër koronavirusit. Në verë jemi më shumë jashtë dhe kjo na ndihmon të jemi më pak të ekspozuar ndaj viruseve,”– shprehet Maria Rita Gismondo, drejtore e laboratorit të mikrobiologjisë klinike në spitalin Sacco.

Ndërkohë bilanci i COVID-19 në Shqipëri ka shkuar në 33 të prekur. Një prej të prekurve, ndërroi jetë në Spitalin e Durrësit dhe vatra e të infektuarve është zgjeruar në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, Lushnje dhe Fier. Mes të infektuarve është dhe një mjek, i cili i kishte shërbyer të moshuarës që ndërroi jetë në Durrës. Ndërkohë jeta në vend është paralizuar thuajse totalisht, nuk ka transport publik, po ashtu dhe shumë vende punë janë mbyllur. Shumë qytete janë në ‘shtet-rrethim’ dhe është ndaluar dhe lëvizja e makinave private. E vetmja këshillë e përbashkët e institucioneve dhe mjekëve është që qytetarët të qendrojnë në shtëpi dhe të kenë sa më pak kontakte me të tjerët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re