Lefter Koka i ka habitur të gjithë, duke dhënë në mënyrë të papritur dorëheqjen nga mandati i deputetit, të cilin e fitoi me shumë përpjekje dhe me përplasje të ashpra me ish partinë ku bënte pjesë, LSI.

Pas kalimit të bujshëm në PS, Koka u “zhyt” në fushatë, madje duke bërë edhe rolin e ndërmjetësit mes Edi Ramës dhe Nasip Naços, me videon e famshme ku nën avujt e rakisë, i bënin thirrje Nasipit të ndërronte partinë.

Fill pas fitores në zgjedhjet e 25 prillit, si kandidat i PS, Koka bëri një status në rrjetet sociale, ku falenderonte mbështetësit dhe zotohej se do të “shërbejë me devotshmëri“. Aty, Koka thumbonte edhe LSI-në.

Statusi i datës 30 prill, tregonte qartë se Lefter Koka do të shërbente si deputet në këtë legjislaturë dhe nuk e kishte aspak ndërmend të jepte dorëheqjen.

Por çfarë ndodhi, që ai u detyrua të ndryshojë kryekëput qëndrim dhe të lërë mandatin, 10 ditë përpara betimit në Kuvend?

Spekulimet janë të shumta edhe për faktin se vetë ish ministri nuk dha asnjë shpjegim, veç një mesazhi falenderues për mbështetësit.  Vendimi i Kokës, mund të jetë i lidhur me çështjen e shumëpërfolur të inceneratorëve dhe hetimeve që po kryen SPAK.

Një gjë është e sigurtë, siç e dëshmon deklarata e tij pas fitores, ku zotohet se do t’ju shërbejë qytetarëve, Koka ka qenë i detyruar të dorëzojë mandatin dhe vendimi nuk ka ardhur si ndonjë reflektim filozofik mbi nevojën për t’i dhënë fund karrierës politike, pas shumë vitesh në poste të ndryshme.

Ja çfarë thoshte Koka në 30 prill 2021, pas fitores së zgjedhjeve: 

FALEMINDERIT!
Nuk gjej dot fjalët e duhura për të shprehur mirënjohjen ndaj bashkëqytetarëve e mi, që besuan te vizioni i Partisë Socialiste dhe emrit tim, por garantoj se do të shpërblehet me punë, punë dhe vetëm punë në të mirë të qytetit dhe vendit tonë! Tramvaja e shpifjeve, e mllefit të shfrenuar, gjuha e urrejtjes, e mori përgjigjen në Durrës dhe gjithë Shqipërinë! Faleminderit strukturave të PS në Durrës, ekipit të vajzave dhe djemve që trokitën në çdo derë e zemër të qytetarëve, për t’i ftuar të bëheshin pjesë e vizionit të zhvillimit! Besimi i gjithsecilit prej jush më vendos përpara përgjegjësisë së madhe për të shërbyer me devotshmëri, përkushtim dhe për të qenë zëri juaj i fuqishëm në Parlament! Koha që të shohim drejt të ardhmes, për Shqipërinë të ardhmen tonë!

Deklarata e dorëheqjes nga mandati, 1 shtator 2021: 

2 dekada më parë me përgjegjësi të lartë publike, mora përsipër të garoja për të qenë zëri qytetarëve durrsakë. Në këtë rrugëtim plot sfida, suksese e padiskutim dhe dështime, pata fatin të dëshmoj fuqinë e besimit, si dhe dinjitetin e njerëzve që punojnë çdo ditë me ndershmëri dhe përkushtim për një të ardhme më të mirë.
Në morinë e sfidave me të cilat ky rrugëtim të përball është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël. Sot është dita që rrugëtimin tim politik, ta vijojnë ata mijëra bashkëpunëtorë të mitë, që më bënë fitues për vite me rradhë dhe që mbase nuk kam mundur asnjëherë t’i falenderoj sa duhet. Sot, e ardhmja u përket atyre! Me këtë vendim timin, është njohur institucionalisht si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ashtu edhe Kuvendi i Shqipërisë. Së fundmi, mirënjohje të madhe për mundësinë , besimin dhe privilegjin e jashtëzakonshëm që më është dhënë t’i shërbej me përkushtim qytetit, vendit dhe njerëzve që dua! Shqipëria është padyshim sot një vend më i mirë se dje, është vendi plot dritë shprese që na përket të gjithëve.

/TPZ.al/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re