Kryeministri Edi Rama pranon se grupi i përfaqësuar nga dhëndri i ishPresidentit amerikan, Donald Trump, ka dorëzuar zyrtarisht projektin për investim në ishullin e Sazanit.

Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Rama theksoi se sa i përket Zvërnecit, nuk kanë ende një projekt zyrtar të dorëzuar nga ky grup. Duke folur për Sazanin, nëse projekti realizohet, kryeministri shprehet se ky ishull do të shndërrohet në xhevahirin e turizmit në Mesdhe.

“Po ndodh ajo që po ndodh dhe do të ndodhë edhe me të tjera investime. Ka ardhur ky grup që ka në krye dhëndrin e Presidentit Trump. Ne nuk kemi akoma asnjë projekt të dorëzuar zyrtarisht për pjesën e Zvërnecit. Zyrtarisht është dorëzuar një kërkesë për Sazanin nga ky grup për të bërë në Sazan një investim që ta transformojë Sazanin në atë që ka qenë dëshira e paraardhësve të mi, kemi pasur 3-4 kërkesa më parë joformale nga investitorë të mëdhenj që i kemi refuzuar, ne sepse nuk kanë qenë qasje të përputhura me atë që ne mendojmë dhe në këtë rast shpresojmë që të jetë rasti që Sazani të bëhet xhevahiri më i ndritshëm i kurorës së turizmit mesdhetar, një destinacion turistik, i cili të jetë një destinacion i nivelit më të lartë të harmonizmit mes natyrës dhe ndërhyrjes së njeriut dhe që të sjellë konsumatorët e nivelit më të lartë të turizmit në botë. E vë Shqipërinë në nivelin më të lartë që disponojnë të tilla adresa në perimetrin e tyre dhe i sjell Shqipërisë një burim të ri të ardhurash për shqiptarët, për buxhetin e shtetit, për ekonominë tonë”, u shpreh Edi Rama.

Kryeministri vuri në dukje se nëse realizohet ky investim në Sazan, do të sjellë turizmin e nivelit më të lartë botëror, çka përkthehet në më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit.

“Këtu bëhet fjalë për të sjellë turizmin e nivelit më të lartë që është një turizëm që ndryshe nga turizëm masiv, nuk ndot, që me një klient sjell në ekonominë e vendit të ardhura sa për 100 turistë që vijnë me çantë. Ne kemi diskutuar për vizion. Qëllimi është të marrim shkas nga të gjitha zhvillimet e tjera dhe të bëjmë një zhvillim që të jetë një shembull se si investohet në harmoni me natyrën dhe krijohet një impakt ekonomik shumë më i fortë”, deklaroi Kryeministri Rama.

NJOHJA

Kryeministri Edi Rama tregoi si është njohu me dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, i cili pritet të bëjë një investim të mundshëm në ishullin e Sazanit. Rama tha se Kushner e ka takuar për herë të parë në Durrës, ku kishte ardhur së bashku me gruan dhe miqtë e tij. Kreu i qeverisë tha se është ftuar nga pronari i jahtit me të cilin udhëtonte Kushner dhe aty kanë pasur një bisedë së bashku dhe me persona të tjerë. Ai rrëfen se pas kësaj bisede në Durrës ka pasur disa takime me dhëndrin e ish-presidentit Trump.

“Unë e kam njohur krejt rastësisht, sepse ai ka ardhur bashkë me gruan dhe miqtë të tjerë për të vizituar Shqipërinë me një jaht. Ai që është pronari i jahtit dhe që ishte pritësi i tyre më ftoi ku ata kishin ndaluar në Durrës dhe për të vazhduar. Shkova kemi biseduar dhe kaq, aty ka qenë një grup i madh njerëzisht, pastaj jemi takuar herë pas here”, tha Rama.

Po ashtu, Rama u shpreh se dhëndri i Donald Trump e ka bërë aplikimin për investimin në ishullin e Sazanit, por pritet të kalojë në siten e agjencisë për të vazhduar me tej në shkallët e tjera.

“Ata kanë bërë si të gjithë investitorët aplikimin për Sazanin. Kanë shprehur interes, tani duhet të kalojë sitën e agjencisë nëse përputhet me kriteret më pas vazhdon me shkallët e tjera”, theksoi Edi Rama.

Pyetjes se a ka zëra që po jep këtë koncesion për të rindërtuar një raport me ish-Presidentin Trump, të cilin e keni quajtur turpi i njerëzimit 8 vjet më pare, ai u përgjigj: “Unë kam një të mirë që është edhe e keqe, unë them atë që mendoj dhe mendoj atë që them. Kam thënë atë që kam menduar në atë kohë kur presidenti amerikan u bë president, të gjithë këta festuan sepse menduan që ne nuk e heqim dot atë, por do na e heqë ai atje. Ngjarjet rrodhën ndryshe. Unë nuk kam raport për të rindërtuar me ish-Presidentin Trump, sepse raportet me të i kam pasur shumë të mira dhe nuk kam asnjë arsye për të rindërtuar një raport me të”.

PORTI

Kryeministri Edi Rama shprehet se ndërtimi i Portit tregtar në Durrës do të financohet nga shteti. Sipas tij, ka pasur dy opsione, e para t’ua jepnin të huajve, por që shteti nuk do ishte pronare dhe opsioni i dytë ta investojë vetë shteti. Kurse për portin ushtarak, kreu i qeverisë u shpreh se po lobojnë që ta financojë NATO.

“Porti i ri Porto Romanos është investim i rëndësisë strategjike për Shqipërinë. Do të ketë komponentë ushtarake si një bazë e NATO-s, e para bazë e ndërtuar në Evropë për këtë qëllim në këtë kohë. Te financimi i portit, i cili është një port që lidhet me dy porte të tjera të thata, një në Prishtinë dhe një në Maqedoninë e Veriut, ne krijojmë një akses me të shpejtë në raport çfarë ndodh sot. Tek ndërtimi i portit kemi pasur dy opsione. I pari që t’ia jepnim, ta nxirrnim në tender dhe të thoshim kush i huaj të vijë dhe ta investojë, por shteti nuk do ishte pronar dhe opsionin ta investojmë vetë pjesën e portit tregtar, kurse ushtarakun po lobojmë që ta investojë NATO”, – tha Rama.

Ai theksoi se porti i vjetër tregtar i Durrësit duhej të ishte hequr që më parë, ku e ka cilësuar si një burim “shëmtie”. Kreu i shtetit theksoi edhe rëndësinë strategjike të këtij porti.

“Porti jo që nuk do të ketë impakt, por do të jetë fitimprurës për shtetin dhe shqiptarët. Porti tregtar i Durrësit nuk është spostuar nga aty ku ishte për t’i thjeshtë hapur rrugë një mundësie për një investim për ta kthyer atë port në një nga marinat më të bukura, por është spostuar sepse ai port është një turp i pashembullt në mes të Europës. Ai port që është një burim ‘shëmtie’ që shkarkon e ngarkon qymyr, çimento mu në zemër të qyetit i përket kohës së një bote që nuk është fare bota ime dhe bota jonë, por që maksimumi është bota e këtyre shkatërruesve. E para që të kuptohet mirë ai port duhej hequr një orë e më parë nga ai vend edhe sikur mos të vinte ai që erdhi për të investuar kur të krijoheshin mundësitë që ne të financonim një port tjetër. Ai duhej hequr që aty. E dyta porti i ri tregtar i Porto Romanos është një investim i një rëndësie strategjike të jashtëzakonshme për Shqipërinë sepse do të krijojë mundësinë e përpunimit të volumeve shumfish më të larta se të volumeve që mund të përpunohen në atë ‘zgëqen’ në mes të Durrësit, e dyta do të ketë komponentë ushtarakë si një bazë e NATO-s, e para bazë ushtarake e NATO-s e ndërtuar në Europë për këtë qëllim në këtë kohë”, – deklaroi kreu i qeverisë.

Lidhur me financimin e portit, Edi Rama deklaroi se: “Tek financimi i portit, i cili është një port mos të harrojmë që lidhet me dy porte të tjera të thata një në Prishtinë dhe një në RMV që e vendos Shqipërinë në një pozitë strategjike jashtëzakonisht të fortë sepse duke pasur parasysh financimet që ne kemi filluar për hekurudhën e ‘Korridorit 8’, duke pasur parasysh lidhjen direkte mes Italisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe më pas Turqisë ne krijojmë një akses shumë më të shpejtë në raport me atë që ndodh sot. Tek ndërtimi i portit kemi pasur dy opsione: një që ta nxirrnim në tender dhe të thoshim kush do vijë i huaj që ta investojë dhe operojë dhe shteti nuk do të ishte pronar i portit thjesht do merrte të ardhura nga taksat dhe opsioni ta investojmë vetë, të jemi ne pronarë pra shteti që do të thotë që njerëzit ta kuptojnë që ne nuk mendojmë për xhepin tonë sepse po të mendonim për xhepin tonë jua jepnim të huajve. Jo”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re