Ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf, e sheh zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm si një hap shumë të rëndësishëm që do të çojë përpara zbatimin e reformës në drejtësi.

Ditën e sotme diplomati gjerman ka zhvilluar një takim me kryeprokurorin e ri, Olsian Çela për të diskutuar nga afër me të për prioritetet e tij në detyrën e re.

Përmes një postimi në “Facebook”, Zingraf ka dhënë detaje nga takimi. Sipas tij, zgjedhja e kryeprokurorit do të rrisë besimin e qytetarëve tek drejtësia. Peter Zingraf shtoi se Gjermania do të vijojë të mbështesë zbatimin e reformës në drejtësi.

“Gjermania, së bashku me Bashkimin Evropian, ka mbështetur gjithmonë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri dhe do ta vijojë të bëjë këtë edhe në të ardhmen.

Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm përmes Parlamentit pas verifikimit dhe vlerësimit të kandidatëve nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë është një hap thelbësor në zbatimin e reformës në drejtësi dhe do të konsolidojë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

I uroj Prokurorit të ri të Përgjithshëm shumë forcë dhe suksese në detyrën e tij të rëndësishme”, ka shkruar Peter Zingraf.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re