Radhë të gjata prej disa ditësh janë shfaqur në drejtorinë rajonale të tatimeve në Elbasan, ku fermerët presin që të pajisen me nipt, në mënyrë që të përfitojnë naftë pa taksa.

Me ditë të tëra në radhë, me pushime për administratën shtetërore, fermerët i kanë humbur shpresat se do të aplikojnë për naftë, sa kohë që kanë mbetur dhe pak ditë në dispozicion të tyre.

Në të gjithë sektorin e bujqësisë, këtë vit janë shfaqur probleme edhe më të mëdha, me rritjen e frikshme të çmimeve të imputeve, ku një kuintal pleh kimik, ka arritur në shifrat e afro 130 mijë lekësh të vjetra.

Në masë fermerët shprehen se do të detyrohet që të braktisin punimin e tokës, pasi në këto nivele të çmimeve, është e pamundur që të flitet për fitim.

Fermerët janë shprehur për gazetaren e Fax News, Entela Duka:

-Kemi një muaj që kemi aplikuar dhe nuk na kanë dalë akoma, po i morëm i morëm, nuk zgjidhim hall me këto, zvarritje nga të gjitha anët. Nuk e dimë ne, e di shteti, ne tokës do i bëjmë shurrën mu në kokë, dalim me humbje, nuk ka menaxhim. 

Ka shkuar 120 mijë lekë një kuintal pleh, nafta në qiell, unë për vete, të tjerët nuk e di. Shteti duhet ta shohë, sa jep kjo tokë, sa është shpenzimi, a mbetet gjë për mua? Për ne nuk mbetet fare, as me grurin, as me misrin, dhe as me bagëtinë. U zhduk blegtoria, ka shkuar 10 mijë lekë kilja e mishit, të shkojë me 20 mijë do të bëjë.

-Se besoj se do të mbarojmë punë, na iku koha, ishin katër ditë pushim festat, vetëm vonesa, ishim dje, kur do aplikoj unë te qendra administrative, kur do ta kem naftën, ta kem për vitin tjetër niptin, se sivjet nuk besoj se do të marr naftë. Më keq nuk ka ku të shkojë më për bujqësinë, janë ngritur të gjitha çmimet. Jonxhë dhe faragjerë për lopët blegtorinë i mbjellim tokat.

-Kam ardhur për niptin, 5 ditë afat janë, kam 3 javë që vij këtu dhe kam aplikuar, dhe nuk e kam marrë. Me 130 mijë lekë që ka shkuar plehra, çfarë të përballojmë, deri tani skemi pasur lekë që të hedhim plehun.

-Tani do e lëmë djerrë, me çfarë do e punojmë me gomar? Tokës po nuk i dhe të hajë, nuk prodhon, nuk kemi mundësi që të blejmë plehra, me ato çmime që kanë shkuar. Bujqësia nuk do naftë, pse nuk ul çmimet e plehrave ai?

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re