Kryetarit të PD, Lulzim Basha, iu bë një pyetje nga gazetarët sot në Mitrovicë të Kosovës, se çfarë do të bëjë ai për Kosovën kur të marrë drejtimin e qeverisë së ardhshme të Shqipërisë.

“Z. Basha! – ishte pyetja. – Z. Bahtiri  do t’ju presë në takimin e radhës si kryeministër. Kur ju dhe partia juaj të drejtoni në Tiranë, çfarë do të ndryshojë në raportin Kosovë–Shqipëri? Çfarë do të bënit ndoshta ndryshe që nuk është bërë?

Basha tha: “Padyshim që gjëja e parë që do të ndodhë është heqja e traut në Rrugën e Kombit. Unë kam privilegjin dhe nderin e rrallë të kem qënë autor dhe promotor i ndërtimit të Rrugës së Kombit. Kjo është trashëgimia e Partisë Demokratike, e qeverisjes sonë të atëhershme natyrisht dhe imja në detyrat që kam pasur në qeverinë e Sali Berishës.

Ndërkohë, që shoh me trishtim të madh se i vetmi kontribut aktual është shtrenjtimi i lëvizjes së lirë, midis Shqipërisë dhe Kosovës përmes traut dhe taksës në Rrugën e Kombit, ndaj gjëja e parë dhe e prekshme për çdo qytetar të Kosovës do të jetë eliminimi i kësaj takse, heqja e këtij trau, si një ndër vendimet e mia të para i bashkëshoqëruar me vendime të tjera që do ta bëjnë më të lehtë, më të mundshëm bashkëpunimin ekonomik, ku përfshihet reduktimi i çmimit të karburantit përmes nj takse të imponuar këto vitet e fundit, që e ka bërë karburantin në Shqipëri të jetë thuajse dyfish më i shtrenjtë se në Kosovë dhe ka një impakt të drejtpërdrejtë në koston e transportit dhe në veçanti të prodhuesve shqiptarë, përfshirë ata të bujqësisë që të sjellin në Kosovë mallrat e tyre, Sepse me rritjen e çmimeve të karburanteve, rritjen e taksës, shkatërron atë leverdi ekonomike që në vend të na afrojë, na largon nga njeri tjetri.

Patjetër që këto janë dy vendimet konkrete të prekshme, por ne kemi një plan të detajuar të bashkëpunimit me Kosovën, ku prioritet është infrastruktura, përshirë infrastruktura portale, që do të vëmë në dispozicion sovran të Kosovës, që do të thotë se Kosova do ta ketë atë pjesë të portit si pjesë të territorit të saj, në të gjithë aspektet, edhe fiskal, doganor e gjithçka tjetër;

së dyti, bashkëpunim në fushën e energjisë që ka një potencial e jashtëzakaonshme;

pa diskutim një bashkëpunim i ngushtë si ai që patëm me shumë sukses në kohën e pavarësimit së Kosovës dhe njohjes ë Kosovës ndërkombëtarërisht, që do të rikthehet jo si protagonizëm, jo si patriarkalizëm, aq më pak si vetshërbim i politikanëve të Tiranës duke përdorur Kosovën si sfond, por do të rikthehet si përkushtim, detyrë morale dhe kushtetuese në dispozicion të institucioneve forcave politike dhe qytetarëve të Kosovës që kanë të gjithë mençurinë për të marrë vendimet e duhura dhe detyra e Tiranës është t’i mbështesë pa asnjë rezervë në vendimet që do të marrin.”

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re