Dy shqiptarë që u shfaqën në media online në Kosovë duke kërcënuar dhe fyer shqiptarët myslimanë të Kosovës dhe Maqedonisë u shpallën në kërkim policor dhe rrezikojnë dënim me dy deri në dhjetë vjet burg.

Dy shqiptarë që u shfaqën në video të publikuara nga faqja e internetit Insajderi.com duke kërcënuar dhe fyer shqiptarët myslimanë nga Kosova dhe Maqedonia dhe duke kërkuar që ata të shkojnë me pushime në bregdetin shqiptar u shpallën në kërkim policor të martën më 13 gusht, bëri të ditur policia shqiptare.

“Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet përkatëse për të vënë para përgjegjësisë ligjore këta komentues të cilët me komentet e tyre nxisin urrejtjen dhe grindjet,” njoftoi zyra e antiterrorit në Policinë e Shtetit në Facebook. Policia iu referua me iniciale dy personave të fshaqura në video si A.Z,, 39 vjeç, banues në Hot, Malësi e Madhe dhe L.M, 36 vjeç, banues në Kallmet Lezhë, ndërsa tha se për momentin ata rezultojnë jashtë territorit shqiptar.

“Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe Lezhë për veprën penale të “Nxitje e urrejtjes ose grindjeve” parashikuar nga neni 265 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë dhe po punohet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet,” thuhet në njoftimin e policisë.

Neni 265 i Kodit Penal parashikon dënime nga 2 deri në dhjetë vjet heqje lirie./ reporter.al