Floresha Kalemaj, ‘viktima’ e një grabitjeje prej 100 milionë lekësh të vjetra, ngjarje që i tronditi jetën dhe familjen në vitin 2017, vijon t’i drejtohet gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, Matilda Sholla.

Në një prononcim për Balkan Web, Kalemaj rrëfen se i ka treguar Shollës se ndjehet e trembur nga fakti se grabitësit që i morën 100 milionë lekë mund të lihen të lirë.

Kalemaj, ka treguar edhe dokumentacionin përkatës ku tregon se ajo dhe familja e saj ndjehen të frikësuar, e madje sipas saj gjatë kësaj periudhe janë kërcënuar edhe nga prindërit e të ndaluarit.

“Ata na kanë kërcënuar me jetë në emër të djalit të tyre duke thënë se do na varnin në mes të Levanit, vend ku ndodhi vjedhja,”- shprehet ndër të tjera Kalemaj në letrën e saj drejtuar gjyqtares Sholla.

Kalemaj kërkon që bashkë me të shoqin të jetë prezent në proces, pasi janë palë e dëmtuar.

Si ndodhi grabitja?

Ngjarja që u tronditi jetën familjes Kalemaj ka ndodhur në 29 Maj 2017.

Në mëngjes herët, rreth orës 6.30, Xhemal dhe Floresha Kalemaj dalin nga shtëpia e tyre, në Fier dhe shkojnë në magazinën dhe dyqanin në pronësi të familjes, në Levan, ku shesin plehra kimike.

Rrugën Fier-Levan, rreth 8 kilometra, e përshkojnë me automjetin Benz, që ishte në pronësi të familjes, në bagazhin e të cilit ndodhej edhe shuma prej 10 milionë lekësh të reja. Burrë e grua, me të mbërritur pranë biznesit parkuan mjetin në anë të rrugës dhe shkuan për të shkarkuar kamionin, por makina u zhduk, bashkë me paratë që kishte brenda.

Kryefamiljari Xhemal Kalemaj u nis menjëherë në shtëpi me një mikun e tij, për të marrë një automjet të vjetër dhe më pas të vijonte kërkimet për Benz-in e vjedhur.

Ndërkohë në shtëpi, grupi i hajdutëve kishte ndërhyrë gjithashtu.

Ata kishin marrë çelësin rezervë të ‘Benz’-it, në mënyrë që grabitja të ishte sa më e lehtë. Bashkëshortët Kalemaj lajmëruan Policinë, që arriti të arrestonte Renaldo Latifin dhe Xhuliano Muçën.

Të dy janë pas hekurave dhe të dënuar për ngjarjen në fjalë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re