Alteo është veçse 7 vjeç. Jeton me familjen në një fshat të Bulqizës. Kushtet atje janë të vështira, por kjo nuk e ka ndaluar Alteon që të jetë një ndër nxënësit më të mirë të klasës.

Por një sëmundje në zemër e ka prekur këtë vogëlush. Alteo është i shtruar në spital, pasi zemra e tij mund të pushojë nga momenti në moment për shkak se nuk funksionon siç duhet.

“Unë jam Alteo. Kam probleme me zemrën.. unë nuk luaj dot më futboll, më dhemb trupi. Para se të flej gjumë, unë kam frikë se mos vdes. Mami më rri gjithmonë tek koka natën, me dorën tek zemra. Unë dua të jetoj. Ju lutem më ndihmoni.”-thotë mes lotëve Alteo.

Shumicën e netëve Alma i kalon zgjuar, me frikën se kur të agojë, i biri mund të ketë nevojë për të shkuar në spital… ose më keq akoma.

“Shpresa jonë e vetme është spitali Bambino Gesu në Romë, por shuma që kërkohet nuk mund ta përballojmë dot, 60 mijë euro. Ne jetojmë në Bulqizë, me një rrogë miniere… këtu kushtet tona janë skandaloze.

Zemrën time do t’ja jepja djalit, o Zot më ndihmo, o Zot më ndihmo… shqiptarëve ju lutem, vini dorën në zemër, të shpëtoj djalin.”-thotë Alma.

Shqiptarët iu përgjigjën lutjeve të kësaj nëne dhe thirrjes së 7 vjeçarit. Brenda pak ditësh, shuma e nevojshme për kurimin e Alteos u arrit dhe ai së bashku me të ëmën u nisën drejt kurimit. Pak para ikjes, Alteo kishte këtë mesazh për shqiptarët, ndërsa nëna e tij tha se do të jetë përjetë falenderuese.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re