Kryeministri Edi Rama ka sqaruar edhe njëherë marrëveshjen me Italinë për emigrantët. Në Forumin e Medias për Europën Juglindore, Rama tha se kjo marrëveshje është raportuar ndryshe nga sa është e vërteta, duke iu referuar këtu raportimeve se në Shqipëri do vijnë vetëm burra.

Sipas Ramës, kjo nuk është e vërtetë, duke sqaruar deklaratën e kryeministres Meloni, e cila tha se “gratë shtatzëna dhe të miturit nuk do të përfshihen në këtë program”.

“Përpara se të vija këtu mu desh të jepja një intervistë për një stacion televiziv italian dhe edhe tani nuk e di pas sa ditësh që ne bëmë publike këtë marrëveshje me qeverinë italiane për emigrantët më duhet t’i përgjigjem pyetjes për rrezikun që mund t’i vijë Shqipërisë duke sjellë këtu 3000 meshkuj afrikanë, që s’ka qenë kurrë kështu. Kur kryeministrja italiane shpjegoi marrëveshjen për shtypin, tha që gratë shtatzëna dhe të miturit nuk do të përfshihen në këtë program.

Sigurisht për shkak të gjendjes së tyre. Do të merren e do të çohen menjëherë nga ku janë ose gjenden në det dhe do të çohen menjëherë aty ku mund tu jepet ndihmë e menjëhershme, është kaq e qartë. Lajmi që doli prej kësaj ishte: asnjë grua, vetëm 3000 burra afrikanë. Dhe kështu u përhap dhe nuk e di sa e sa herë gjatë këtyre ditëve më është dashur ta sqaroj dhe vazhdon të mbetet e ngulitur në të gjitha ato fantazi që zakonisht prodhohen nga këto gënjeshtra për tu lënë vend pastaj zënkave politike. Pra do të vijnë afrikanët këtu, të uritur seksualisht dhe pastaj Zoti e di se çdo të ndodhë kur të shfryjnë dëshirat e tyre një ditë te gratë e bardha, tek vajzat e bardha shqiptare. Deri në këtë pikë!

Tani e di sërish, ju jeni njerëz, politikanët nuk janë njerëz, megjithatë pyetja për ju njerëz është kjo: si mund ta luftomë këtë? Si ta luftojmë këtë gjë dhe ky është vetëm një shembull që ka përfshirë dy vende, sepse nuk ka dallim. Kjo nuk është në Shqipëri, është në Itali. Unë e di që italianët janë shqiptarë të veshur me Versace, por është në Itali sidoqoftë, është kudo, kështu është, është çmenduri!”, tha Rama.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re