Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.

Në seancën gjyqësore, ku ishin të pranishëm vetë Veliaj, ish-kreu I SPAK Altin Dumani dhe prokurori i çështjes Ols Dado, gjykata vendosi të lerë në qeli kryebashkiakun e kryeqytetit.

Ndërkohë, të hënën e 2 shkurtit të zhvillohet seanca paraprake në ngarkim të Veliajt dhe të pandehurve të tjerë.

Veliaj ndodhet në qeli prej pothuajse një viti. Ai u arrestua më 10 shkurt të vitit 2025.  i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kjo e fundit kërkoi pushim të çështjes të premten e kaluar.

Kryebashkiaku e ka ankimuar disa herë masën e sigurisë “arrest me burg”. Së fundmi, edhe në Gjykatën Kushtetuese, së cilës i kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të tre vendimeve të GJKKO-së dhe Gjykatës së Lartë, dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për shkak të shkeljes së rëndë të procesit të rregullt, proporcionalitetit dhe prezumimit të pafajësisë.

Në korrik të këtij viti, Gjykata e Lartë vendosi të mos ndryshojë masën ndaj tij, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit. Ndërsa, më 3 nëntor, Kushtetuesja vendosi me shumicë votash në favor të tij, duke e kthyer në detyrën e kryebashkiakut të bashkisë më të madhe në vend pasi u shkarkua nga Këshilli Bashkiak.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re