Bosnja nuk do të ketë liberalizim të vizave me Kosovën, tha presidenti i Srpska-s Milorad Dodik, pavarësisht se Kosova në fund të shkurtit konfirmoi se po i heq vizat mes dy vendeve.

Kryetari i këtij entiteti po ashtu e quajti hipokrit vendimin e Bashkimit Evropian për anulimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të cilat atyre iu nevojiteshin më parë gjatë hyrjes në ndonjë nga 27 shtetet anëtare të Unionit, transmeton Tanjug, duke iu referuar Radio Televizionit Serb.

Me shumicë prej dy të tretave të deputetëve, Kuvendi i Kosovës ratifikoi në fund të shkurtit marrëveshjen për heqjen e vizave dhe lëvizjen vetëm me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës.

Në prezantimin e marrëveshjes, kryeministri Albin Kurti tha se do të krijohen lidhje të reja ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës.

“Ura e re”

“Besoj se liria e lëvizjes së qytetarëve është ajo për të cilën kanë kohë që po përpiqen qytetarët e Kosovës, por edhe të vendeve fqinje, përfshirë Bosnjën, me të cilën kemi marrëdhënie të vështira për shkak të vetos së Republikës Srpska atje”, tha Kurti.

Ai përkujtoi se edhe ish-kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës, Zoran Tegeltija, më 3 nëntor të vitit të kaluar e ka nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit, që “na bën optimistë se kjo marrëveshje do të ratifikohet në Bosnje”.

“Në këtë mënyrë Prishtina dhe Sarajeva po krijojnë një urë të re institucionale dhe veçanërisht qytetare, e cila është pritur prej kohësh”, tha Kurti.

Por sipas njoftimeve të Dodik, regjimi pa viza ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës do të jetë ende pezull.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re