Skip to content

Dogji sipërfaqe pylli në Gramsh, arrestohet zjarrvënësi prokuroria cakton masen e sigurise


Prokuroria e Elbasanit caktoi masën e sigurimit “arrest me burg” për shtetasin F.S. për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Prokuroria njoftoi se “më datë 21.08.2025, policia u njoftua se në fshatin Bresnik i Poshtëm, Njësia Administrative  Kodovjat, bashkia Gramsh ka rënë zjarr në mesin e një pylli të përbërë nga lloje drurësh “Mare” dhe “Cendel””.

“Në vendngjarje shtetasi F. S.i deklaroi se ka shkuar bashkë me babain e tij në fshatin Bresnik Poshtë, ku i ka vënë zjarrin një pjese të sipërfaqes së pyllit për të shtrirë markushin e ujit për të vaditur ullinjtë”, njoftoi prokuroria.

Sipas prokurorisë “pasi i ka vendosur zjarrin bashkë me të atin kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të tij. Zjarrin e vendosi me çakmak për të lehtësuar punën për të shtrirë markushin për tek arat e tij”.

Prokuroria njoftoi se në deklarim ai tha se zjarrin e kishte nën kontroll dhe se është hera e parë që e bën  për të pastruar pyllin për të shtrirë një markush uji.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan sekuestroi në cilësinë e provës materiale një çakmak, ndërkohë që shtetasi F.S. po hetohet për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor” që përbën krim të kryer me dashje dhe për të cilin dispozita përkatëse përcakton një maksimum dënimi prej 8 (tete) vite burg.