I penduari i drejtësinë në dosjen “Plumbi i artë”, Nuredin Dumani vijoi në seancën e së martës (25 shkurt) që t’i përgjigjet pyetjeve të avokatëve të të pandehurve në proces.

I pyetur nga avokati Qani Hasa, Dumani ka treguar për njohjen me Talo Çelën dhe vëllain e këtij të fundit, Bujar Çelën, për të cilin tha se ishte në shërbim të Talos dhe kamuflohej si taksixhi.

Në dëshminë e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala, Dumani po ashtu ka deklaruar se pas konflikteve që pati me Talo Çelën dhe Altin Ndocin ka dashur që këta të dy të vriteshin, por jo nga dora e tij.

Po ashtu, Dumani tregoi për njohjen me Erion Alibej, i cili ka organizuar dhe ka porositur vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt.

“Në fillim për Erion Alibej më ka vënë në dijeni Elio Bitri, se po interesohej për mua. Jemi takuar disa herë me Bitrin. Më tha që Erion Alibej mendon se ju keni gjuajtur. Unë e mohova, se nuk kisha lidhje. Unë duke qenë i sigurt që nuk kisha lidhje dhe as vëllai kam kërkuar takim. Elio komunikonte me Arjan Spahiun, që nuk ishte në Shqipëri në atë kohë”, ka thene Dumani.

Pyetje-pergjigjet mes avokatit Qani Hasa dhe Nuredin Dumanit

Avokati Qani Hasa: Kur je njohur me Talo Çelën dhe në ç‘rrethana?

Nuredin Dumani: Talon e kam njohur në fund 2009, fillim 2010. E kam njohur nga Ilirjan Feçi.

Hasa: Keni pasur momente të qëndroni në banesën e tij.

Dumani: Po, kam qenë, por edhe ka qenë tek shtëpia ime. Talo jetonte vetëm.

Hasa: A kishte vëllezër?

Dumani: Po kishte dy.

Hasa: A kishe informacion me lëvizjet e Bujar Çelës, vëllait?

Dumani: Po, ishte në shërbim të Talos. Kamuflohej taksixhi.

Hasa: Kur e ke njohur Erion Alibej?

Dumani: Janar-shkurt 2020.

Hasa: Ç’marrëdhënie krijuat?

Dumani: Shoqërore. E kam takuar gjithmonë tek shtëpia e tij.

Hasa: Keni thënë që ai kishte zbuluar ata që i vranë vëllanë dhe se do hakmerrej. Kur e vendosët se do hakmerreshit?

Dumani: Në fillim për Erion Alibej më ka vënë në dijeni Elio Bitri, se po interesohej për mua. Jemi takuar disa herë me Bitrin. Më tha që Erion Alibej mendon se ju keni gjuajtur. Unë e mohova, se nuk kisha lidhje. Unë duke qenë i sigurt që nuk kisha lidhje dhe as vëllai kam kërkuar takim. Elio komunikonte me Arjan Spahiun, që nuk ishte në Shqipëri në atë kohë.

Më ka kërkuar Elio një natë. Erdhi Elio më mori. Takuam Arjan Spahiun. Më bëri kontroll fizik, pasi do takonim mikun e tij.

Me një Mercedes shkuam tek një pallat ku takova Erion Alibeajn.

Hasa: Në cilin moment vendosët të hakmerreshit drejt vrasësve të vellait të Alibeaj?

Dumani: Pas konfliktit që pata me Talo Çelën dhe Altin Ndocin doja të vriteshin ata, por jo nga dora jonë. Kjo më interesonte, pasi Altin Ndoci deshi të vrasë vëllanë tim, por ju bllokua arma. Unë doja ta ndihmoja të shkonin ata, jo ti vrisja unë. Pasi u takuam vendosa ta ndihmoja.

Hasa: kur u bë kjo bisedë?

Dumani: Pasi qëndruam 2-3 orë. Që herën e parë.

Hasa: Keni thënë që hartuat një listë?

Dumani: Pasi mësova që Alibeaj po hetonte për Talo Celën dhe pata një bisedë me Fatmir Troplinin vendosëm që do godisnim ne të Durrësit.

Unë kisha parë lëvizjet e Dorian Shkozës. E shikoja që më vinte pas me makina të ndryshme.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko