“Më thanë, djali nuk sheh. Mbeta. Çfarë po thoni, u thashë… Syri i majtë nuk i sheh më treguan, djali ka tumor në sy… aty u fika, u trondita”

Kështu kujton babai i Brianit, Bledi, i cili e dërgoi në spital të birin kur vunë re se diçka nuk shkonte me syrin e tij të majtë. Ai vetë mendoi se do të ishte diçka jo shqetësuese, por kur u përball me mjekët, u trondit. Briani, ende pa i bërë 2 vjeç, kishte tumor në syrin e tij të majtë, një sëmundje që shumë shpejt mund t’i kapte syrin tjetër e më tutje trurin.

“Sprova ishte e madhe. Kur shkuam fillimisht, ishte diçka e vogël. Ishte 5 muajsh djali kur e çuam në fillim. As mjekët nuk e kapën. Falë Zotit erdhi kushërira, më la takim me një klinikë. Kur shkuam atje, nuk menduam për ndonjë gjë. Mjekët mbetën të habitur… më thanë, djali nuk sheh. Mbeta. Syri i majtë nuk i sheh më thanë, djali ka tumor…aty unë u fika, u trondita”-tregon babai i vogëlushit.

Ndërhyrja për të shpëtuar shikimin e jetën e vogëlushit ishte e papërballueshme për këtë familje, e cila kërkoi ndihmën e “Shqiptarët për Shqiptarët” e Fondacioni Firdeus. Ashtu si përherë, shqiptarët bamirës i dolën në krah me ndihmë kësaj familje. Briani u nis menjëherë në Turqi, për të kryer një operacion mjaft të komplikuar, i cili bëhej nga shumë pak mjekë.

Mjekët specialistë nuk mundën të shpëtojnë dot syrin e majtë të vogëlushit, por fatmirësisht, syri i djathtë u shpëtua, sëmundja u shfaros e bashkë me të dhe rreziku i madh se kanceri mund të përhapej në kokë e t’i merrte jetën Brianit.

Sot Briani është në krahët e prindërve të tij, të nënës që lutej për ndihmë. Sidrit Bejleri e Elvis Naçi shkuan për të vizituar vogëlushin e për të biseduar me prindërit e Brianit.

Sidriti: Mjekët thanë që njëri sy nuk kishte shpëtim, por problemi ishte që sëmundja të mos i kalonte në tjetrin sy e në kokë.

Elvisi: Njëri sy nuk mund të rehabilitohej, por të paktën operacioni ka dalë me sukses. Kemi ardhur të trokasim e të takojmë prindërit e Brianin vetë.

Pasi mësojnë se gjendja e Brianit tashmë është e mirë, Elvisi pyet babain e vogëlushit për një fatkeqësi që i ka ndodhur.

Vëllai i Bledit ka ndërruar jetë, duke lënë pas fëmijët jetimë. Bledi bën dy punë në mënyrë që të ndihmojë fëmijët e vëllait të ndjerë. Elvisi i shpjegoi se Fondacioni “Firdeus” do t’i qëndrojë pranë atij dhe fëmijëve të të ndjerit, pasi jetimët janë përherë të parët e kërkojnë kujdesin e merituar.

Elvisi: Mësova se të ka ndodhur një fatkeqësi përpara… ke bërë një vepër të madhe më thanë, që ty Zoti të begatoftë

Bledi: Vëllai iku, 43 vjeç, ka lënë tre fëmijë… mundohem e bëj dy punë.

Elvisi: Ne në fillim nuk e dinim. Por edhe ne do të shohim sesi të kontribuojmë për ata fëmijë, jetimët ne i kemi të parët. Hallall ta bëftë Zoti që ke sakrifikuar, nuk ke rrit vetëm të tutë, por edhe fëmijët e vëllait. Kjo është diçka e madhe. Ne i japim përparësi familjeve me jetimë dhe do t’ju përkrahim me sa të mundemi.


Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re