Teksa Donald Trump synon të hyjë sërish në garën presidenciale, “CNN” ka publikuar një audio-përgjim, ku pretendohet se dëgjohet ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë se ka një dokument sekret nga Pentagoni, që përmban plane për një sulm ndaj Iranit.

 

“Këtu janë dokumentet”, raportohet të ketë thënë ai në regjistrimin audio, gjatë një diskutimi për planet e sulmit të Pentagonit. Kjo mund të cilësohet si prova kryesore në aktakuzën e Donald Trump për keqpërdorim të informacionit të klasifikuar.

 

Në regjistrimin audio dyminutësh, Donald Trump dhe ndihmësit e tij po ashtu dëgjohen duke diskutuar për e-mailet e Hillary Clinton.

 

“Hillary po e printonte këtë gjatë gjithë kohës, e dini. E-mailet e saj private” – tha ndihmësi i Trump.

 

Republikani u referohet dokumenteve që ai i përshkruan si “shumë konfidenciale” dhe sipas regjistrimit, ua tregon ato njerëzve të tjerë në dhomë.

 

Në fillim të qershorit, Donald Trump u deklarua i pafajshëm për 37 akuza në lidhje me manipulimin e supozuar të dokumenteve të klasifikuara të mbajtura në resortin e tij Mar-a-Lago në Florida. Aktakuza e Prokurorit Special, Jack Smith, pretendon se të pranishmit, një shkrimtar, një redaktor dhe dy punonjës të Trump morën informacion të klasifikuar në lidhje me planin e sulmit të Iranit.

 

Ky episod është një nga dy të përmendur në aktakuzë, ku prokurorët thonë se Donald Trump u tregoi informacion të klasifikuar të tjerëve që nuk kishin leje sigurie.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re