Në të gjitha hotelet e licensuara me 5 yje, monopolin për lojërat e fatit për 10 vjet e ka marrë Alban Manastirliu, vëllai i ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Denoncimi vjen nga PD, përmes zëdhënëses Ina Zhupa e cila thotë se Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojërave të fatit pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave ka licencuar të vetmen kompani në treg “ADRIA ENTERTAINMENT” sh.a, ish-kompania e vëllait të Manastirliut (APEX-AL), për të ushtruar veprimtarinë në fushën e lojërave të fatit në të gjitha ambientet hoteliere të vleresuar me 5 yje.
“Monopoli për lojërat e fatit, në të gjitha hotelet e liçensuara me 5 yje, i jepet nga Rama për 10 vjet ish kompanisë APEX- AL me emër të ndryshuar edhe vëllait të Ministres së tij të Shëndetësisë Manastirliu, Alban Manastirliu! Me 19 maj 2020, Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojërave të fatit pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Finacave ka liçencuar të vetmen kompani në treg “ADRIA ENTERTAINMENT” sh.a (ish APEX-AL) që të ushtrojë veprimtarinë në fushën e lojërave të fatit në të gjitha ambjentet hoteliere të vleresuar me 5 yje.
Kompania “ADRIA ENTERTAINMENT” sh.a aktualisht zotërohet nga aksionerët: APEX Holding GmbH , GREEN LINE HOLDING , APEX Enterprise GmbH , ËSI dhe “VLT Albania” sh.a (bashkim kompanie). Pikërisht “VLT Albania” sh.a është kompani shqiptare me administrator z. Alban Manastirliu (vëllai i Ministres së shëndetësisë, bashkëpunëtores ndër vite të Edi Rames, Ogerta Manastirliu ) që ka në veprimtarinë e saj kryesore lojrat e fatit me “Adria Entertainment” sh.a . Mbyllja e lojërave të fatit për t`i rihapur si monopol me lidhjet nepotike edhe me lidhjet klienteliste duket se ka qenë i vetmi qëllim i Ramës dhe i gjithë propagandës së tij kundra bixhozit”, thuhet në reagimin e zëdhënëses së PD-së, e cila ka publikuar edhe dokumentet.

