Ditën e sotme, Lulzim Basha ka depozituar në Kuvend amendamentin për buxhetin, ku kërkon që nga buxheti i shtetit, Kosovës t’i alokohen 5 miliardë lekë në vit ndihmë ushtarake.

Sipas PD-së zyrtare, ndihmë financiare ka për synim forcimin dhe zgjerimin e kapaciteteve ushtarake të Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit dhe tërësisë territoriale në një kohë në të cilën Serbisë po riarmatoset me objektiva të deklaruar për ndërhyrje ushtarake në Kosovë në momentin kur konjuktura politike do ta mundësonte këtë veprim.

“Sulmi terrorist i 24 shtatorit në Kosovë nuk ishte një incident i izoluar. Terroristët janë trajnuar në baza ushtarake në Serbi, armët janë kontrabanduar në Kosovë prej muajsh, me qëllim që të provokojnë një skenar të ngjashëm me atë të Krimesë në 2014. Nuk ka dyshim se asgjë e këtyre përmasave nuk mund të ndodhë pa implikimin e autoriteteve shtetërore në Serbi. Dhe as nuk ishte ky i vetmi operacion për ndyshimin me forcë të status quo-së në të cilin është përfshirë aktualisht Serbia.

Nxitja dhe mbështetja për shkëputjen e Republika Srpska nga Bosnje-Hercegovina, përpjekja për të kontrolluar infrastrukturën politike të Malit të Zi dhe infiltrimi i strukturave të armatosura paraushtarake në Kosovë për të orkestruar marrjen me dhunë të një pjese të territorit të një shteti të pavarur, të gjitha bëjnë pjesë në strategjinë e shtetit serb për të diktuar në terren një realitet të ri, të cilin liderët e Beogradit e etiketojnë publikisht si Bota Serbe.

Kjo është një përpjekje për të imponuar ndryshimin e kufijve përmes ndarjeve de facto dhe pushtimeve të territorit. Rezultati përfundimtar do të përmbyste arkitekturën e sigurisë euro-atlantike të Europës Juglindore dhe do t’i jepte një goditje potencialisht vdekjeprurëse paqes dhe stabilitetit në Europë”, thotë PD në argumentin e saj.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re