Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka përzgjodhur kompaninë “Advanced Business Solutions”, në pronësi të biznesmenit Gerond Meçe, si fituese për tenderin e mirëmbajtjes së sistemit elektronik të vizitave dhe hyrje-daljeve në burgjet e vendit.

Kontrata me fond limit prej rreth 590 mijë eurosh është fituar nga kompania e Meçes me një çmim prej rreth 480 mijë euro.

Sipas njoftimit të fituesit, në garën për mirëmbajtjen e sistemit të vizitave në burgje u paraqitën 5 oferta nga kompani të ndryshme.

“Advanced Business Solutions” ishte eliminuar nga tenderat e AKSHI-t prej gati dy vitesh. Ndonëse kompania konkurronte thuajse në të gjithë tenderat e teknologjisë së informacionit ajo skualifikohej nga AKSHI.

DOSJA E SPAK

Vendimi i Gjykatës së Posaçme për masën e arrestit ndaj drejtuesve të AKSHI-t dhe dy biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri përfshin edhe dëshminë e Gerond Meçes, i cili u mor peng derisa pranoi të tërhiqej nga ankimimet që kishte bërë për disa tendera shtetërorë.

Në dëshminë e dhënë Meçe tregon se poshtë pallatit të tij sapo kishte dalë nga makina, i ishin afruar dy persona të cilët i ishin prezantuar si punonjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Pasi e kishin marrë brenda në makinë ata i kishin komunikuar se ishte arrestuar dhe i kishin vendosur kapuçin në kokë për të mos parë itinerarin e lëvizjes.

Megjithatë Meçe thotë se e kishte kuptuar që ishte marrë peng pasi personat në makinë që ishin prezantuar si punonjës të BKH-së nuk dinin të vendosnin pranga.

SPAK ka akuzuar dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri se kanë urdhëruar pengmarrjen e Meçes.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re