Dy ditë më parë, në telefonin e qytetarit L.Z nga Kruja mbërriti një mesazh nga një bankë e nivelit të dytë. Mesazhi shkruante se llogaria e tij në bankë sapo ishte kredituar me 15 mijë euro. Dërguesi i fondeve ishte Bashkia e Krujës. Arsyeja e transfertës, granti për riforcimin e banesës së dëmtuar nga tërmeti i ndodhur 3 vjet e gjysmë më parë.

Ai i qytetarit L.Z nuk është rast i izoluar. Oligarkia.al mundi të gjurmonte të paktën 9 transferta të tilla vetëm në datën 25 prill, përmes të cilave Bashkia e Krujës xhiroi më shumë se 130 mijë euro në llogaritë e familjeve krutane si grante rindërtimi. Por kjo është vetëm një datë.

Sipas Open Data, në dy muajt e fundit, Artur Bushi ka xhiruar qindra miliona lekë cash në llogaritë e familjeve të Krujës si grante për riparimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti. Oligarkia.al gjurmoi pagesat e thesarit që shkojnë si transferta për individët. Vetëm në Bashkinë e Krujës janë me qindra familje që po marrin para në prag të zgjedhjeve. E megjithatë, Kruja nuk është rasti i vetëm.

Transfertat për familjet ka patur edhe në bashki të tjera të vendit si Laç, Kamzë dhe Vorë. Me pak fjalë, qeveria ka nisur sërish operacionin e ndikimit të votës së qytetarëve në shkallë të gjerë përmes parave të buxhetit të shtetit.

Edhe pse tërmeti ka ndodhur tre vjet e gjysmë më parë, qeveria dhe bashkitë e saj vazhdojnë ta përdorin fatkeqësinë për të ndikuar votën e qytetarëve në favorin e maxhorancës. Këtë herë madje skema është e ndërthur. Një pjesë e familjeve po paguhen me para cash, ndërsa të tjerave po u dorëzohen shtëpitë e ndërtuara disa ditë para votimeve.

Vetëm në dy muajt e fundit, Këshilli Bashkiak i Krujës ka miratuar disa vendime për shpërndarje grantesh tërmeti apo dorëzimi banesash. I fundit ishte vetëm pak ditë më parë. Në Durrës, Emirjano Sako dhe Këshilli Bashkiak kanë miratuar nga 1 janari deri në 31 mars numrin rekord të 111 vendimeve. Shumë prej tyre jashtë radhe dhe të lidhura me procesin e rindërtimit nga tërmeti ose asistencës financiare për familjen. Në Vorë dhe Kamzë po ashtu këshillat bashkiakë po kalojnë vendime të ngjashme.

E megjithatë është ende herët. Ka edhe më shumë se dy javë deri në mbajtjen e zgjedhjeve. Transfertat për familjet mund të shumëfishohen gjatë ditëve në vijim. Ky është një operacion që kordinohet nga qeveria në Tiranë.

Programi i Rindërtimit nga tërmeti gjallërohet sa herë që afrohen zgjedhjet. Në fund të vitit të kaluar me propozimin e zëvendëskryeministres, qeveria alokoi sërish miliona euro për tërmetin në disa bashki të vendit. Këto para tani po përdoren për të blerë zgjedhjet në një garë që është e pabarabartë dhe e kompromentuar në të gjitha drejtimet./Klodian Tomorri–Oligarkia.al/

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re