Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar emrat e ministrave të rinj të kabinetit të qeverisë Rama.

Dekretimi i shkarkimit të ministrave dhe emërimi i emrave të rinj që i zëvendësojnë në postet e kabinetit qeveritar, u firmosën sot (9 shtator) nga Kreu i Shtetit.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj dekreton shkarkimin e ministrave që largohen nga detyra, dhe njëkohësisht emërimin në detyrë të ministrave të rinj”, thuhet njoftimin e Presidencës.

Emrat e ministave të rinj që Edi Rama i prezantoi në Asamblenë e PS-së u dërguan për dekretim nga kreu i qeverisë më 6 shtator.

Kujtojmë se 7 ndryshimet në kabinetin qeveritar u deklaruan publikisht nga vetë Kryeministri Rama më 4 shtator.

Ndryshimet në qeveri:

Nga ndryshimet e bëra u prekën 6 ministri, ndërkohë që u shkri Ministria për Standardet dhe Shërbimet. Ndërkohë u shtua një tjetër ministri pa portofol, Ministria e Pushtetit Vendor, e cila do të drejtohet nga Arbian Mazniku.

Posti i ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme iu besua Igli Hasanit.

Ogerta Manastirliu është larguar nga Ministria e Shëndetësisë dhe është emëruar si Ministre e Arsimit dhe Sportit.

Ministrja Delina Ibrahimaj është zhvendosur nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave për të marrë drejtimin e Ministrisë së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.

Në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë është emëruar Ervin Meta. Deputetes së PS Anila Debaj i është besuar posti i Ministrisë së Bujqësisë, ku do të zëvendësojë ishministren Frida Krifca.

Ministër i Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes Sociale është emëruar Albana Koçiu.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re