Përveç “Foltoreve” dhe Protestës Kombëtare të 24 Janarit, Partia Demokratike mesa duket po punon edhe zgjedhjet e brendshme brenda selisë blu.
Për këtë arsye, Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka ka shpërndarë në degë një udhëzim ku kërkohet përditësimi i listave të anëtarësisë.
Në dokument udhëzohen Degët e PD të angazhohen me këtë proces ndërsa renditen edhe kriteret që duhet të plotësojë një anëtar.
Udhëzimi parashikon ndarjen e anëtarëve në kategori të veçanta:
– ata që janë zhvendosur brenda territorit të Shqipërisë, ata që ndodhen në emigracion,
– individët që nuk duan të angazhohen,
– rastet për të cilat nuk ka informacion.
Ndër të tjera, në udhëzim nënvijëzohet se nuk do të konsiderohen anëtarë aktivë të PD-së ata që kanë vepruar kundër interesave të partisë në fushata zgjedhore, kanë mbajtur qëndrime publike kundër vijës politike, kanë mbështetur kundërshtarë politikë apo kanë thyer disiplinën e brendshme.

Së fundmi Partia Demokratike është përfshirë në përplasje të brendshme lidhur me garën për kryetarin e partisë.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, është shprehur se ish-deputeti është vetëpërjashtuar nga gara, me argumentin se ka shkelur Statutin e partisë dhe, për rrjedhojë, nuk mund të kandidojë për kryetar të PD-së.
Nga ana tjetër, Salianji e ka kundërshtuar këtë qëndrim, duke theksuar se askush nuk është mbi Kushtetutën e Partisë Demokratike, e cila, sipas tij, është miratuar me votë nga anëtarësia.
Ai ka deklaruar se Statuti i PD-së nuk njeh konceptin e “vetëpërjashtimit” dhe se do të vijojë të përfaqësojë shqetësimet e demokratëve, duke bërë thirrje për bashkim, respekt të rregullave dhe dinjitet brenda partisë.
Zgjedhjet për kreun e ri të PD dhe strukturat drejtuese janë parashikuar të mbahen gjatë muajit prill.



