Një bastisje në shtëpinë e një anëtari të grupit ekstremist të krahut të djathtë Proud Boys, i cili akuzohet për pjesëmarrje në sulmin ndaj Capitol-it në 6 janar, hasi në udhëzime për të bërë një bombë, tha zyra e prokurorit të Uashingtonit.

Dominic Pezzola, 43 vjeç, kishte “armë dhe manuale për bërjen e bombave” në një USB të gjetur në apartamentin e tij pranë Rochester, Neë York, thanë prokurorët në gjykatë, duke kërkuar që ai të qëndronte në paraburgim deri në gjyq.

Deri më tani, më shumë se 135 persona janë arrestuar në lidhje me inkursionin në Capitol, të nxitur nga thirrjet e ish-Presidentit Donald Trump, i cili kërkonte të ndërpriste një sesion të Kongresit në të cilin do të konfirmohej fitorja e zgjedhjeve e Joe Biden.

Pesë njerëz u vranë gjatë kaosit, duke përfshirë një oficer policie.

Departamenti i Drejtësisë tha se Pezzola dhe një tjetër anëtar i Proud Boys, William Pepe, 31 vjeç, nga Beacon, New York, ishin akuzuar për komplot, trazira dhe hyrje të paligjshme në ndërtesën e Kongresit.

Pezzola akuzohet gjithashtu për pengimin e procedurave zyrtare, vjedhjen e pasurisë personale dhe sulm, si dhe rezistencë ndaj arrestimit, shtoi Ministria e Drejtësisë.

Nga ana tjetër, FBI raportoi se bombat e gjetura në selinë e Komitetit Kombëtar Demokratik dhe Republikan në Capitol Hill ishin vendosur atje një natë para sulmit. FBI ka rritur shumën e shpërblimit për të gjitha informacionet në lidhje me incidentin në 100,000 dollarë.

Pezzola, sipas kërkesës së prokurorisë, përbën një “kërcënim serioz për komunitetin dhe ekziston rreziku i arratisjes”.

Avokati i Pezzola-s, Mike Scibetta, shkruajti në e-mail se, “me sa di ai, Pezzola mori USB-në e diskutueshme, por ai kurrë nuk e hapi atë, dhe se ai përmban një manual për ‘mbrojtje’”.

Prokuroria, duke cituar postime në mediat sociale, pretendon, ndër të tjera, se Pezzola ishte një nga të parët që hyri në Capitol dhe se ai theu një dritare me një mburojë policie, duke lejuar kështu protestuesit e tjerë të hynin në ndërtesë. 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re