Kombinati ishte një ndër zonat e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit. Në këtë zonë pati me dhjetëra pallate dhe banesa private të dëmtuara. 10 pallate u evakuuan, pasi u cilësuan nga autoritetet përkatëse si të pabanueshme. Madje aty ka shkuar vetë kryeministri Edi Rama me kryebashkiakun Veliaj për të qetësuar qytetarët e zonës.

“Nëse na lini me durim dhe me qetësi do të bëhen gjërat më me qetësi. Shkoni tek të afërmit, kush do të shkojë te qendrat sociale të shkojë te qendrat sociale, mos rrini nëpër makina. Janë gjithë këto godina. Specialistët nuk janë të pafundmë”, deklaronte Rama para qytetarëve.

Emisioni “Stop” ka shkuar në atë zonë. Një nga këto pallate të dëmtuara është edhe ai që ndodhet në rrugën “Llambi Bonata”.  Pallati përbëhet nga tri hyrje dhe banojnë 40 familje. Fillimisht Emergjencat Civile bashkë me njësinë numër 6 vendosën shirita tek këto pallate. Por këto ditë, inxhinieri Sabri Ibrahimi e ka shpallur të banueshëm.

Banorët kanë videon e shiritit të vënë dhe shenjat, pasi ai u hoq. Përgjigja e Kryetarit të Njësisë, Adriatik Merko, ishte se shiritat janë vënë gabimisht.

Banorja 1: Ka ardhur qendra e emergjencave. Kanë thënë që është i banueshëm me akt-ekspertimi që e kanë bërë vetëm me sy të lirë.

Banorja 2: Kemi 9 ditë që jemi larguar nga shtëpia dhe nuk jemi futur.

Banorja 3: U tmerruam. Thashë se burri luajti mendsh. Sa pushoi një çikë zbritëm poshtë. Ca me këpucë, ca pa këpucë, një me çorap, një pa çorap. Unë dua të di këtë që të rrimë apo mos të rrimë? Vjen ai me një çekiç dhe pastaj thotë futu ti. Ma jep garant që të futem brenda. Njëherë vendoset shiriti, njëherë nuk vendoset. Hipa lart, mora diçka, kur zbrita nuk ishte i banueshëm.

Banorja 1: Pasi është bërë akti-ekspertimit është siguruar me anë të një fotoje, ku inxhinieri ka konstatuar që ka dëmtime të suvave, bashkimeve, çarje. Por konkluzioni e ka nxjerrë të banueshëm. Inxhinieri Sabri Ibrahimi.

Banorja 4: Po atë ditë që e ka nxjerrë të banueshëm akti i konstatimit personalisht e kam marrë drejtuesin e Njësisë Administrative zotin Adriatik Merko. I kam dërguar foto.

Gazetarja: Cila ka qenë përgjigja e kryetarit?

Banorja 4: E kanë vendosur gabimisht. Më falni si mund të talleni me njerëzit. Jemi 40 familje apo doni të përsërisni një Durrës apo Thumanë të dytë? Ne duam një siguri, të futemi, mos të futemi.

Zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës, Renato Kalemi, thotë, se Instituti Ndërtimor është institucioni më kompetent për këtë gjë, por për merak banorët mund të kërkojnë një rivlerësim të pallatit.

Zëdhënësi Renato Kalemi: Inspektimi i parë është bërë inspektim paraprak. I dyti është bërë nga “Instituti Ndërtimor”, i cili në fakt është instituti, që vlerëson tamam, nëse është apo s’është i banueshëm një godinë. Në qoftë se ata e kanë nxjerrë të banueshëm, do të thotë, që ato vendosin fjalën e fundit. Bashkia nuk ka çfarë të thotë në këtë pikë, sepse e vendosin ata. Por banorët, në qoftë se ndihen të pasigurtë dhe kanë nevojë për një rivlerësim, mund ta kërkojnë sërish një rivlerësim nga Instituti, që të vijë ta bëjë edhe njëherë rivlerësimin për merak.

Menjëherë pas kësaj deklarate banorët vendosën të çojnë kërkesën për një tjetër rivlerësim.

“E ndjekim këtë procedurë, kërkojmë rivlerësim për të parë dhe themelet e pallatit. I duam me aparatura. Ne këtë kërkojmë: siguri maksimale sepse mos të rrezikojmë. Direkt pas këtij informacioni do bëjmë kërkesën për rivlerësimin e pallatit”, tha një prej banoreve. /tvklan.al

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=b44Y8Xj_fSs]

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re