Lea Ypi, një shkrimtare me banim në Angli, pinjolle e familjes së njohur Ypi, intelektualë me zë, largohet disi e zhgënjyer nga një qëndrim disaditor në Shqipëri, ku emri i saj u përfol dhe politikisht si kandidate për kryeministre të një qeverie teknike, një sajim i sforcuar i opozitës së lodhur e dërrmuar nga vitet e gjata larg pushtetit, si dhe nga pafuqia e dukshme për ta rifituar atë me manyrën klasike: në zgjedhje.

Vetë Ypi mbajti distancë nga kjo përfolje e saj, duke mos shfaqur ndonjë shenjë se e aspiron këtë gjë. Tek e fundit, veç një shkrimtareje, ajo nuk ofron asnjë lloj atributi për të qenë në krye të punëve të ngatërruara shqiptare, pasi nuk dihet nëse posedon ndonjë aftësi tjetër veç të shkruarit. Qeverisja, siç dihet nuk është letërsi.

Dhe në ikje ajo shkruan:

“Mirupafshim Shqipëri!

Llaçin e shpifjeve dhe pluhurin e konspiracioneve biografike, ideologjike, gjeopolitike, sociale, materiale e sa e sa të tjera më kanë dëgjuar veshët e parë sytë për veten këto ditë, ti kam lënë në derë. Në fund të fundit hiçi dixhital e mediatik mbi diçka duhet ngritur që atij grushti logosh ku tek asgjëja çlirohet vetmia, trishtimi, mllefi, dështimi, varfëria e mendimit, shfrytëzimi, paburrëria, ti mbushet mendja se mbase diçka është.

Por emocionet e takimeve të këtyre ditëve me qindra njerëz të vërtetë, lexues të gjithfarë brezave, bindjesh politike, përvojash historike, me aq shumë pyetje, vërejtje, komente, kritika, fjalë nxitëse, të rinj e të reja me guxim për tu parë në sy e për t’u përballur pa u fshehur në lloj lloj pseudonimesh e maska karnavalesh, shkëmbimet tona rreth fateve të botës e të këtij katundit tonë, skutave të historisë, dritës që hedh arti në kërkim të së vërtetës – të gjitha këto i mbaj me vete.

Kam përshtypjen se bota sot i ngjan labirintit të minotaurit ku gjithkush kërkon shpëtim nga përbindëshat e dukshëm e të padukshëm. Ndoshta secili nga ne e mban në dorë një pjesë nga filli i Ariadnes, mjafton që duart të bashkohen dhe njerëzit të rigjejnë kuptimin e të qenit njeri.

Faleminderit të gjithë atyre që në këtë skutën shqiptare të labirintit shtrënguan dorën time”.

Gjithsesi, ka zgjedhur t’i thotë “mirëupafshim” e jo “lamtumirë” Shqipërisë, çfarë do të thotë se një sy vijon ta ketë në vendin e saj. Si aspirante për politikane apo thjesht për rol intelektual, kjo është herët të thuhet. /tesheshi.com/

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re