Një 22-vjeçar është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 1 vit e 4 muaj burg, nën akuzën se ka përdjekur ish-të dashurën e tij 21-vjeçare, të cilën njëkohësisht e kishte edhe fqinj.

Në vendimin e gjykatës që e disponon edhe MCN, thuhet se në datën 12.01.2021 shtetësja D. R., teksa ka qenë duke udhëtuar me autobus urban, është përndjekur nga i pandehuri E. Sh., i cili fillimisht e ka ndjekur me automjetin e tij, e më pas ka hipur në autobus është ulur pranë saj.

Pasi shtetësja D. R., ka zbritur nga autobusi, i pandehuri e ka ndjekur nga prapa dhe në një moment e ka ndaluar duke i marrë telefonin me forcë e jashtë dëshirës së saj.

Në vijim kjo shtetëse ka kërkuar ndihmën e një patrulle policie, e cila ka telefonuar të pandehurin duke i kërkuar fillimisht të kthente telefonin e më pas të mos shqetësonte më D. R.

Në vijim, i pandehuri e ka kthyer telefonin nëpërmjet një shoku të tij dhe D., ka vazhduar rrugën në këmbë për në banesën e saj dhe në një moment i pandehuri E. Sh., i ka dalë përsëri përpara dhe këtë herë ka dashur ta marrë kundër dëshirës së saj në makinë.

Dezdemona ka filluar të kërkojë ndihmë dhe rastësisht aty është gjetur një patrullë tjetër e Policisë së Shtetit.

Ky version i shtetëses D. R., është konfirmuar edhe nga punonjësit e Policisë. Ata konfirmojnë të dy momentet e përndjekjes nga ana e të pandehurit ndaj shtetëses D. R., si në momentin kur i mori me forcë telefonin ashtu edhe kur kërkoi ta fuste me forcë në automjetin e tij.

Në vijim të kësaj ngjarjeje, shtetësja D. R., pasi është pyetur lidhur me këtë ngjarje ka deklaruar se të pandehurin E. Sh., e ka fqinj dhe se e ka patur të dashur para dy vjetësh, por janë ndarë dhe e ai nuk e pranon këtë fakt dhe vazhdon ta përndjekë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re