Ministria e Brendshme ka zbardhur dorëheqjen e kreut të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Ardi Veliu. Ministri Balla ka falenderuar Ardi Veliun për kontributin e dhënë në këtë institucion, duke sjellë në vëmendje dhe punën e bërë.

 

“Ministri i Brendshëm Taulant Balla e falënderoi z. Veliu për punën e bërë deri tani në krye të AMP-së, rezultatet e arritura në kuadër të procesit të vetë-pastrimit të strukturave të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin.

 

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nga 1 janar deri sot, ka referuar pranë SPAK dhe Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm 207 raste për 295 subjekte, ndër ta 253 oficerë policie si dhe 42 shtetas.

 

Në këtë periudhë janë arrestuar 23 oficerë në flagrancë. Me masë sigurie janë 72 raste, ndër ta, 61 oficerë policie dhe 11 shtetas. Në masën “Arrest në burg” janë 24 raste, ndër ta, 18 oficerë policie dhe 6 qytetarë. Me masën “Arrest në shtëpi” janë 6 oficerë policie dhe 1 qytetar, me masën “Pezullim i ushtrimit të detyrës në shërbim publik” janë 34 oficerë policie”, thuhet në njoftim.

 

Veliu ishte emëruar në krye të AMP në shtator 2022, detyrë që e mbajti deri ditën e sotme. Në njoftim bëhet me dije se ai do të marrë një tjetër post, i cili ende nuk zbulohet. Drejtimin e Agjencisë, deri në fund në zgjedhjen e drejtuesit të ri, do ta mbajë Dritan Dorda, Zv.drejtor i Përgjithshëm i AMP-së.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re