Nga Blendi Gashi

Vetëm dy ditë pasi vizitoi liqenin e Ujmanit me presidentin Thaçi, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri i ka ofruar dorëheqjen kryeministrit Ramush Haradinaj. Këtë e konfirmoi ky i fundit në një intervistë të hënën mbrëma në një nga televizionet kosovare, pa dashur të lëshohet në detaje, me arsyetimin se Tahiri vet zyrtarisht nuk e ka njoftuar opinionin publik.

Megjithatë, sipas mediave dorëheqja e tij lidhet me pakënaqësitë që ai i ka shprehur lidhur me funksionimin e punëve në sistemin e drejtësisë, sidomos me ndërhyrjet e shumta politike në dy muajt e fundit, por nuk dihet saktësisht nëse dorëheqja e tij lidhet me paraburgimin e dy deputetëve, Shkumbin Demaliajt të AAK-së e Milaim Zekas të NISMA-s, të cilët nga studiot televizive kërcënuan ish-prokurorin Elez Blakaj dhe prokurorin Afrim Shefkiun.

Aktin e dorëheqjes, Tahiri e paralajmëroi para ca ditësh përmes një kumunikate për media, ku u bëri thirrje politikanëve të mos bëjnë presion ndaj institucioneve të drejtësisë.

“Pa marrë parasysh se kush është subjekti apo pala në procedurë, janë organet e pavarura të zbatimit të ligjit ato që vendosin se kush ka rënë ndesh me ligjin e kush është i pafajshëm. Çdo presion ndaj institucioneve të drejtësisë, nga kushdo qoftë, është i papranueshëm. Vetëm me respektimin e plotë të pavarësisë së prukororisë dhe gjykatave, ne mund të presim procese të besueshme dhe të aplikueshme drejtë dhe në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetaret e vendit”, deklaroi Tahiri.

Por ai, as në rastin e dorëheqjes nuk ka treguar se kush janë politikanët që po e pengojnë sistemin e drejtësisë dhe ku mbetën premtimet e tij për reformim të thellë të këtij sistemi.

Ku mbeti fillimi i ri në drejtësi?

Tahiri, me të marrë mandatin si ministër u shpreh tejet optimist se do ta këndell këtë dikaster, gjë që nuk arritën ta bëjnë bashkëpartiakët e tij, ish-ministrat Hajredin Kuçi e Dhurata Hoxha.

Ai, përmes një postimi bërë në Facebook më 10 shtator të 2017-tës tha se se do të përkujdeset që Ministria e Drejtësisë të jetë shembull i qeverisjes së mirë dhe të përgjegjshme, duke u bazuar në kompetenca dhe dije, në mënyrë që t’u jepen përgjigje sfidave dhe qytetarët të kenë besim të parezervë në të.

“Në këtë proces drejt fuqizimit të drejtësisë ekziston vetëm një koncept dhe ai është ligji mbi të gjithë, kurse përpjekjet për t’i dhënë kuptim duhet të jenë të të gjithëve, që sfidat t’i shndërrojmë në mundësi unike dhe rezultatet t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ky është një fillim i ri për Kosovën, në drejtësi dhe në të gjitha sferat. Na priftë e mbara”, shkruajti Tahiri.

Ndërsa një ditë më herët, më 9 shtator të 2017-tës në një intervistë dhënë për Televizionin Publik (RTK), Tahiri premtoi reformim të thellë të sistemit të drejtësisë.

Për një nga sektorët më të ndjeshëm, atë të drejtësisë, Tahiri deklaroi atë kohë se do të mund t`u kthehet besimi qytetarëve vetëm atëherë kur nuk do të lejohet ndërhyrja e askujt në organet e drejtësisë, qoftë ajo edhe nga politika.

“Drejtësia 2020”

Ndërkaq, hiç më larg se një javë më parë, me datë 25 shtator të këtij viti, Tahiri në një konferencë për media së bashku me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, prezantoi agjendën e përbashkët “Drejtësia 2020, ku u shpreh tejet optimist se do ngritët progresi në sistemin e drejtësisë dhe do rikthehet besimi i qytetarëve në shtetin ligjor.

“Jemi përcaktuar që viti 2020 të jetë vit në të cilin nuk do të flitet më për temat e njëjta dhe vit në të cilin drejtësia kosovare do të funksionojë me efikasitet të plotë, dhe ku sistemi ynë i drejtësisë të jetë sistem plotësisht i besueshëm, llogaridhënës, i përgjegjshëm dhe në shërbim të plotë ndaj qytetarëve”, tha Tahiri.

Por të gjitha këto deklarata mbesin tashmë veç në kuadër të premtimeve boshe, pasi Tahiri me largimin veç ka konfirmuar se politika po vazhdon ta ketë nën dorën e saj drejtësinë dhe sigurisht qytetarët veçse do rritin tashmë mosbesimin ndaj sistemit tës drejtësisë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re