Pak minuta pasi Hashim Thaçi njoftoi dorëheqjen nga posti i presidentit të Kosovës, mediat atje kanë bërë dhe llogaritë e para sa i takon politikanit që do të zërë vendin e tij.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, në momentin që posti i presidentit mbetet bosh, vendin e tij e zë përkohësisht kreu i Kuvendit, dhe në këtë rast Vjosa Osmani. Ndërkohë që Kushtetuta e Kosovës e saktëson dhë mënyrën sesi zgjidhet presidenti i shtetit. Sipas nenit 86, presidenti zgjidhet në Kuvend të Kosovës, me votim të fshehtë.

Në këtë pozitë mund të nominohet si kandidat, ai apo ajo që siguron nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve të Kuvendit, derisa saktësohet se deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për president.

Zgjedhja e kreut të shtetit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve.

“Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”, saktësohet në Kushtetutë, në nenin që flet për zgjedhjen e presidentit.

Një nga politikanët e lartë që ka shprehur dëshirën për të qenë në krye të shtetit, është Ramush Haradinaj, i cili më herët është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Speciale pas gjykimit.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re