Marsela Serani, shefja juridike në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka dhënë dorëheqjen. Burime mediatike bëjne me dije se Serani është larguar nga posti i saj, fill pas rënies së zjarrit në ministri. Nuk dihen ende shkaqet e vërteta të këtij largimi, në në një kohë që ministria është vënë në qendër të sulmeve të PD, por mësohet se ka pasur përplasje me drejtuesit për firmosjen e disa dokumenteve.
Të njëjtat burime thanë se shefja e sektorit në drjetorinë juridike, nuk ka pranuar firmosjen e një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, por dorëheqja e saj ka lidhje dhe me incidentin. Ndërkohë të kontaktuar nga Gazeta Shqip deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk kanë kthyer përgjigje.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pak ditë më parë u shpreh se në katin e katërt të ministrisë së Shëndetetësisë ka rënë zjarr dhe janë djegur disa dokumente të tenderave sekret, që prej ditësh po kërkohen nga SPAK.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu u shpreh se kjo gjë nuk ishte vërtetë, por Gazment Bardhi tha se PD ka prova për këtë ngjarje. Një ditë më pas (të dielën), PD publikoi dhe me e-mail ku jepeshin detaje për zjarrin e rënë në ministri. Por ky institucion reagoi e tha se ka qenë një incident dhe jo një zjarr.