Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji dhe nënkryetarja e PD Korçë, Ledina Aliolli kanë zhvilluar një takim me strukturat e Partisë Demokratike në këtë qytet. Tashmë drejtimi i partisë do të bëhet nga 3 nënkryetarët e kësaj force politike.

Gjatë fjalës së tij Salianji nuk la pa akuzuar të larguarit nga selia, mes tyre edhe ish-kryetarin e degës Andrea Mano.

“Shumë njerëz nuk janë mësuar dot me sakrificën, shumë të tjerë janë ‘demokratë pushteti’ dhe nuk janë dot demokratë sakricash dhe opozite. Të sqarojmë tani se 15 seksione kanë problematika që është larguar kryetari ose sekretari i seksionit nga 146 seksione që ka Partia Demokratike në Korçë”.

Andrea Mano e shoqëroi dorëheqjen me disa akuza për nepotizëm e papërgjeshmëri në lidershipin e PD, por Salianji u kujdes të vinte në dukje se rezultati i 25 prillit për këtë qark ishte më i lartë se ai i vitit 2013.

“Nuk është e lehtë dhe kjo është mëse e kuptueshme të përballesh me një regjim. Por duhet thënë që qarku i Korçës është qarku i katërt me rezultatin më të mirë në rang kombëtar për Partinë Demokratike. Përpara Korçës është vetëm Kukësi, Dibra dhe Lezha. Në procesin e 25 prillit ne kemi marrë më shumë se 40%”.

Në fund të muajt korrik, kryetari i degës së PD-së në Korçë së bashku me anëtarët e kryesisë dhanë dorëheqjen duke akuzuar drejtuesit qëndror të partisë për humbjen e zgjedhjeve.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re